Kryeministri Edi Rama deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë dialog në çdo kohë, në çdo vend dhe me këdo, me përjashtim të forcave politike që, sipas tij, qëndrojnë pas akteve të dhunës dhe nuk distancohen prej tyre.
Gjatë deklaratës së tij, Rama theksoi se është i gatshëm të dëgjojë çdo palë tjetër që kërkon të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje, por përjashtoi mundësinë e ndryshimeve politike që i cilësoi artificiale.
“Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë Policinë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic.
Kushdo tjetër është i mirëseardhur, ose te kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se nuk do të ketë zgjidhje politike përmes ndryshimeve artificiale të lidershipit apo ndryshimit të drejtimit të vendit, duke kundërshtuar, siç tha ai, përpjekjet për të bashkuar qëndrime të papajtueshme në emër të qetësisë, dashurisë dhe paqes.
“Por zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të njomit me të thatin, gjoja në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka dhe nuk ka”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se qëndrimi i tij nuk lidhet me pushtetin personal, por me mandatin që, sipas tij, i është besuar nga më shumë se 800 mijë shqiptarë, mandat që përfundon në vitin 2029.
“Jo se s’dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal. Nuk ka lidhje fare. Unë nuk e kam pushtet personal. Për mua zyra e Kryeministrit nuk është vend pune.
Jam ngarkuar nga 800 e kusur mijë shqiptarë, në bazë të një kontrate që mbaron në 2029, për të bërë një punë. Unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje”, u shpreh ai.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se qeveria nuk është tërhequr nga objektivi për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian.
Sipas Ramës, anëtarësimi në BE është rruga përmes së cilës Shqipëria mund të çlirohet përfundimisht nga ndikimet që, sipas tij, e kanë penguar vendin që prej vitit 1912.
“Dhe ne, ndërkohë, A-ja dhe Z-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen të gjitha të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në Bruksel, në oborrin e shtëpisë europiane”, tha Rama.
Ai kritikoi gjithashtu aktet e dhunës ndaj Policisë, duke përmendur mbledhjen e institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë në Shqipëri. Rama kujtoi se në bulevardin ku, sipas tij, Policia u dhunua gjatë protestës, ishte mbledhur Europa dhe se vitin e ardhshëm pritet të mblidhet NATO.
“Në atë bulevard, në atë shesh ku dje Policia u dhunua nën duartrokitjet e ekraneve të korruptuara, u mblodh gjithë Europa dhe do të mblidhet NATO vitin tjetër.
Kush e do këtë përveç nesh dhe përveç miqve tanë? Kush e do këtë? Kush e do Shqipërinë që të mbledhë këtu gjithë NATO-n dhe të bëhet qendra e botës edhe një ditë tjetër?”, u shpreh kryeministri.
Më tej, Rama i cilësoi kundërshtarët e këtij drejtimi si armiq të vendit, të Europës dhe të demokracisë, duke argumentuar se urrejtja, mllefi dhe dëshira për revansh mund t’i shtyjnë njerëzit të veprojnë kundër interesave të tyre kombëtare.
“E duan armiqtë e këtij vendi? E duan armiqtë e Europës? E duan armiqtë e demokracisë? Në asnjë mënyrë, jo!
Por Shqipëria dhe shqiptarët, meqë i kanë pasur gjithmonë vegla qorre të gatshme për t’i shërbyer qorrazi çdo lloj force dhe çdo lloj interesi antikombëtar, edhe pa e ditur fare se çfarë bëjnë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, nuk është e nevojshme që dikush të jetë agjent i paguar për t’u vënë në shërbim të interesave të të tjerëve, pasi mjaftojnë urrejtja, mllefi, zilia dhe dëshira për të parë kundërshtarin të rrëzuar.
“Nuk ka nevojë të jesh agjent sot, i paguar, që merr para që të thonë: ‘Dil atje, bëj’. Nuk ka nevojë fare, hiç, se ka zell të madh, ka urrejtje, ka mllef, ka revansh, ka zili.
Të gjitha këto mjaftojnë që ti të vihesh në shërbim qorrazi edhe të armikut tënd, vetëm e vetëm që ta shohësh vëllain tënd përtokë.
Shtëpinë mund ta rrënosh, vetëm e vetëm sepse Shqipëria është e mirë vetëm kur është e jotja”, përfundoi Rama.
