Kuvendi ka kaluar në votimin e projektligjeve, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare.
Parlamenti u rikthye sot në seancë plenare, pas pezullimit javën e kaluar, pas akteve të dhunës gjatë protestave që nisën në Tiranë nëntë ditë më parë.
Sapo seanca nisi dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, filloi të lexonte rendin e ditës, deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren.
Maxhoranca ka deklaruar se axhenda e ligjeve që lidhen me integrimin dhe negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të humbasë kohë dhe të mbetet peng i asaj që i cilëson si dhunë të elementeve destabilizuese që punojnë kundër Shqipërisë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, për të tretën ditë radhazi, ka bërë thirrje për dialog.
Ndryshe nga herët e tjera, Rama ka vendosur disa stola guri para Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”.
Gjatë dy ditëve të fundit, kryeministri kishte vendosur karrige para zyrës së tij, të cilat u thyen nga protestuesit.
