Pas humbjes me ekipin e Kukësit në “Liri Ballabani” tekniku i matjanëve deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës verlindore. Ishte një vendim i vështirë, por në 7 ndeshjes skuadra realizoi vetëm 6 pikë. Në një prononcim për tirananews.al ai shprehet se ka një lidhje të fortë me këtë qytet që e do dhe vlerëson sportin e futbollit.
Ju keni pasur një marrëdhënie të ngushtë me Burrelin dhe e keni drejtuar këtë skuadër me shumë dëshirë. Megjithatë, sezoni i fundit nuk nisi ashtu siç e kishit parashikuar. Çfarë ndodhi sipas jush?
Burreli është ekipi im i zemrës. Kam kaluar shumë vite në këtë qytet, si futbollist, si trajner, por edhe si qytetar. E kam drejtuar këtë skuadër me shumë dëshirë, pasion dhe përkushtim. Madje, kam refuzuar edhe oferta nga skuadra të tjera të mira, sepse dëshira ime ka qenë të jem në krye të Burrelit. Edhe drejtuesit, në momente të vështira dhe në mungesë të rezultateve, kanë hezituar të marrin vendime të nxituara, pikërisht për shkak të lidhjes së veçantë që kemi pasur. Marrëdhënia ime me Burrelin e ka tejkaluar prej kohësh anën thjesht profesionale; për mua, kjo skuadër është shumë më tepër se një ekip futbolli.
Sa i përket fillimit të sezonit, ne kishim menduar të ndërtonim një skuadër të re, me një projekt afatgjatë. U afruan lojtarë të rinj dhe me talent, të cilët kanë potencialin për të dhënë shumë, por që natyrshëm kanë nevojë për kohën e tyre për t’u përshtatur dhe për të arritur nivelin që kërkojmë. Gjatë këtij procesi zhvilluam edhe ndeshje të mira, veçanërisht në transfertë. Megjithatë, në ndeshjet në shtëpi skuadra ndiente më shumë presion, për shkak të pritshmërive të tifozëve dhe të gjithë ambientit sportiv. Ky presion, në disa momente, nuk na lejoi të shprehnim plotësisht potencialin tonë.
A mendoni se Burreli ka mundësi të mbijetojë në Kategorinë e Parë? Çfarë duhet bërë për ta arritur këtë objektiv?
Unë besoj te Burreli dhe te grupi i lojtarëve që është ndërtuar. Është ende fillimi i sezonit dhe mendoj se skuadra ka potencialin e nevojshëm për të arritur objektivat e saj. Me mbështetjen e drejtuesve, me punë, qetësi dhe besim te lojtarët, Burreli mund të bëjë një sezon të mirë.
Objektivi ynë nuk ka qenë thjesht mbijetesa, por renditja në gjashtë vendet e para. Ky është një synim që e kemi pasur që në fillim dhe shpresoj e dëshiroj me gjithë zemër që Burreli ta realizojë në fund të sezonit. Unë do të vazhdoj ta ndjek me të njëjtin pasion, sepse dashuria ime për këtë skuadër nuk varet nga fakti nëse jam apo jo në stol. Burreli do të mbetet gjithmonë ekipi im i zemrës.
