Akrobatja shqiptare Fiona Rushiti ka hyrë në librin e Rekordeve Guinness, pasi realizoi 72 rrotullime të plota 360 gradë brenda 30 sekondave, e varur vetëm nga dhëmbët.
Sfida u zhvillua më 11 qershor 2026, në Tiranë, ndërsa arritja e saj është konfirmuar zyrtarisht nga Guinness World Records.
Me këtë performancë, Rushiti theu rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2025 nga një akrobat sirian, i cili kishte realizuar 65 rrotullime në 30 sekonda. Shqiptarja e përmirësoi kështu rekordin botëror me shtatë rrotullime.
Pas kësaj arritjeje qëndron një proces intensiv stërvitjeje. Fillimisht, Fiona kishte arritur të realizonte 58 rrotullime, por përmes përgatitjeve të mëtejshme dhe përmirësimit të teknikës, arriti ta çonte rezultatin në 72.
Sipas Guinness World Records, akrobatja shqiptare e ndërmori këtë sfidë për të testuar kufijtë e aftësive fizike dhe qëndrueshmërisë së saj.
Me këtë arritje, Fiona Rushiti vendos emrin e saj në regjistrin e rekordeve botërore, duke shënuar një moment krenarie për Shqipërinë.
