Bashkimi Evropian ka nisur shqyrtimin teknik të Kapitullit 7, që lidhet me të drejtën e pronësisë intelektuale, në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Megjithatë, ende nuk ka një afat të përcaktuar për mbajtjen e konferencës së ardhshme ndërqeveritare, ku mund të vendoset mbyllja e një tjetër kapitulli, ka mësuar Albanian Post.
Çështja është përfshirë në punimet e Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA), i cili zhvilloi mbledhjen e radhës të enjten, më 29 tetor, në Bruksel.
Sipas një burimi të BE-së, diskutimi i kësaj faze është ende paraprak dhe përfshin prezantimin e Komisionit Evropian, të ndjekur nga pyetje dhe sqarime të shteteve anëtare.
“Është ende herët për të folur për afate”, tha zyrtari evropian për Albanian Post, duke sqaruar se nuk mund të ketë as një planifikim orientues për konferencën e ardhshme ndërqeveritare pa përparim të mëtejshëm gjatë ditëve dhe javëve në vijim.
Në dokumentacionin e Këshillit të BE-së, të datës 27 tetor, figuron projekti i qëndrimit të përbashkët për Kapitullin 7, pjesë e Grupkapitullit 2, që mbulon tregun e brendshëm.
Shqyrtimi i këtij dokumenti në nivel teknik është një hap përgatitor dhe nuk nënkupton se shtetet anëtare kanë marrë tashmë vendimin për mbylljen e kapitullit.
Protestat nuk kanë ndryshuar deri tani qëndrimin e Këshillit
Në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta dhe tensione të brendshme politike, burimi evropian bëri të ditur se, nga këndvështrimi i Këshillit të BE-së dhe presidencës së tij, nuk ka deri tani një ndryshim të qëndrimit për ecurinë e negociatave.
