Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve vuri theksin te përgjegjësia e institucioneve për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe për t’i mbrojtur ata nga çdo formë dhune.
“Sot kemi edhe më shumë nevojë të përcjellim me forcë mesazhin se fëmijët nuk e kanë vendin në dhunë dhe kaos. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme për të gjithë”, deklaroi Demo.
Ai nënvizoi se kuadri ligjor dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve përcaktojnë se çdo veprim institucional duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i tyre dhe nga detyrimi për t’i mbrojtur prej çdo forme dhune.
“Si Ministri e Punëve të Brendshme, e konsiderojmë mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë dhune një detyrim të panegociueshëm, pavarësisht se kush e ka ushtruar atë dhe pavarësisht rrethanave në të cilat ka ndodhur”, tha Demo.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit, kujdestarët dhe mësuesit, duke nënvizuar se puna e institucioneve nuk duhet të kufizohet vetëm te reagimi pas ngjarjeve, por duhet të përqendrohet edhe te informimi dhe parandalimi.
Në këtë drejtim, Demo bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme po punon për platformën digjitale “Help4You”, të zhvilluar nga Europol, e cila synon të ndihmojë fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 18 vjeç që përballen me abuzim apo dëmtim.
Tryeza e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve u zhvillua në kuadër të diskutimeve për ngjarjet e fundit dhe nevojën për një plan të përbashkët veprimi, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e mekanizmave të parandalimit dhe mbrojtjes së fëmijëve.
