Veliaj ka shkruar një letër të personalizuar për qytetaret e Tiranës, ku shprehet qarte se në 4 vitet e fundit kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe se Tirana tani sapo ka nisur rrugëtimin drejt shkëlqimit. Ai shton se falë transformimit të shpejtë që ka pësuar Tirana, kryeqyteti konsiderohet nga guidat turistike si një ndër qytetet më energjike të Ballkanit.

“E dashur familje e Tiranës sonë! Me shumë përulësi më lejoni t’ju falenderoj për besimin dhe ndihmën tuaj në transformimin e Kryeqytetit në këto 4 vite të paharruara. Të gjithë së bashku, me punë, arritëm t’ia ndryshojmë faqen kryeqendrës së gjithë Shqipërisë! Sot Tirana gëlon: Nga sheshi “Skënderbej”, tek “Bulevardi i Ri”, “Pazari i Ri”, tek “Amfiteatri i Liqenit”, “Parku Olimpik”, “Reja” – qyteti është plot e përplot me aktivitete e energji. Sot Tirana numëron 44 kënde lojërash, 5 shkolla të reja dhe 17 të tjera të nisura, kopshte e çerdhe publike të rikonstruktuara, të cilat nuk janë më objekte turpi, por shtëpiza krenare për të vegjlit, të cilët rriten shëndetshëm”.
Veliaj thekson se tashmë Tiranës i referohen si metropol dhe kryeqyteti është motori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë me rritje ekonomike 10%, më e larta në vend e rajon. “Në këto 4 vite kemi ndërhyrë thuajse në çdo lagje të Tiranës, në qendër dhe në periferi, me blloqe banimi të shtruara me asfalt, të ndriçuara, të gjelbëruara, dhe me hapësira dëfrimi, duke rikthyer ndjenjën e humbur të komunitetit”, shkruan ai.

