Një aksident i rëndë ajror është regjistruar në rajonin e malit Everest në Nepal, ku dy helikopterë janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë tentativës për ulje, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur.
Ngjarja ndodhi të martën në fshatin Pheriche, në një lartësi prej rreth 4 200 metrash mbi nivelin e detit, pranë kampit bazë të malit Everest. Sipas autoriteteve, si pasojë e përplasjes humbi jetën një shtetas indian 47-vjeçar, ndërsa mbetën të plagosur një shtetas nga Zelanda e Re dhe piloti nepalez. Deri më tani nuk është bërë e ditur sesa persona ndodheshin në bord të dy helikopterëve në momentin e aksidentit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet pas përplasjes, kur më shumë se dhjetë persona vrapojnë për t’u larguar nga zona, ndërsa dy mjetet ajrore përplasen në tokë. Rajoni përreth Everestit konsiderohet një zonë veçanërisht e vështirë për lëvizje, pasi mungojnë rrugët automobilistike dhe transporti me helikopterë është një nga mënyrat kryesore për të lëvizur në këtë territor malor.
Helikopterët përdoren rregullisht për evakuimin e alpinistëve, turistëve dhe guidave që detyrohen të ndërpresin ngjitjen për shkak të problemeve shëndetësore, lodhjes së tepërt apo kushteve të vështira atmosferike. Temperaturat në këtë zonë mbeten vazhdimisht nën zero, duke e bërë edhe më të rrezikshëm operimin në lartësi të tilla.
Aksidenti ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër incidenti në të njëjtin rajon, ku një zjarr përfshiu një hotel përgjatë itinerarit që të çon drejt kampit bazë të Everestit. Përpjekjet për shuarjen e flakëve u vështirësuan nga reshjet e dendura të borës, por fatmirësisht nga ai incident nuk u raportuan viktima apo të plagosur.
