Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar nevojën për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe se ato duhet të adresojnë problematikat gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore.
Në konferencë për mediat, Celibashi u shpreh se reforma zgjedhore duhet t’i kishte përfunduar tashmë këto çështje, por theksoi se ka ende kohë që palët politike të punojnë për adresimin e tyre.
Celibashi u ndal edhe te nevoja për harmonizimin e Kodit Zgjedhor me ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale.
“Masat, siç rekomandohet edhe në raportet e vëzhgimit ndërkombëtar, duhet të jenë efektive dhe të verifikueshme, edhe për situatat e ndikimit të shtetit në zgjedhje.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, është e nevojshme që, përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të adresohen problematikat gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore. Çështjet prioritare janë ato që kanë të bëjnë me rolin e shtetit në përgjithësi në procesin zgjedhor. Ndryshimet duhet të synojnë rregulla më të qarta për efikasitet dhe mekanizma kontrolli dhe mbikëqyrjeje.
Reforma zgjedhore duhet ta kishte përfunduar adresimin e tyre, por ka ende pak kohë që palët politike të punojnë dhe të adresojnë më pas KQZ-në për t’i zbatuar.
Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrative-territoriale kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Duhet të rishihen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe strukturën e përfaqësimit të rajoneve të ndryshme dhe njësive territoriale.
Partitë politike duhet të angazhohen për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të adresuar ato kërkesa që lidhen me përfaqësimin.”
