Qeveria italiane, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, ka propozuar vendosjen e një takse prej 26% mbi fitimet e parealizuara nga investimet financiare për individët e pasur që largohen nga Italia për t’u vendosur në një shtet tjetër.
Sipas projektbuxhetit të paraqitur në Parlament, masa do të zbatohet për personat që zotërojnë asete financiare me vlerë të paktën 800 mijë euro dhe që kanë qenë rezidentë fiskalë në Itali për të paktën gjashtë nga dhjetë vitet para largimit.
Nisma synon të taksojë fitimet e krijuara nga rritja e vlerës së aseteve, edhe në rastet kur ato nuk janë shitur ende. Megjithatë, sipas propozimit, pagesa mund të rimbursohet nëse asetet financiare nuk likuidohen për disa vite pas largimit nga Italia.
Propozimi ka ngjallur shqetësime te këshilltarët financiarë, të cilët paralajmërojnë se masa mund të nxisë largimin e investitorëve dhe individëve me pasuri të mëdha nga Italia.
