Studentët që po zhvillojnë praktikën profesionale në SUOGJ “Koço Gliozheni” kanë zhvilluar një bashkëbisedim me ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Në fokus të takimit ka qenë përvoja e tyre në mjedisin spitalor, sfidat gjatë praktikës dhe pritshmëritë për të ardhmen profesionale.
Përmes një postimi në Facebook, Spahiu thekson rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me studentët dhe përmirësimit të kushteve në të cilat ata zhvillojnë formimin profesional. Sipas ministres studentët që zgjedhin profesionin e shëndetësisë janë një investim i çmuar për të ardhmen e tyre.
“Bashkëbisedim i hapur me studentët që po zhvillojnë praktikën profesionale në SUOGJ “Koço Gliozheni”, për të dëgjuar nga afër përvojën e tyre në mjedisin spitalor, sfidat me të cilat përballen, kërkesat dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Komunikimi i drejtpërdrejtë me studentët, vëmendja ndaj nevojave të tyre dhe adresimi i shqetësimeve janë të rëndësishme për të përmirësuar kushtet e praktikës dhe për të krijuar një mjedis që mbështet formimin e tyre profesional. Të rinjtë që zgjedhin profesionet e shëndetësisë janë një investim i çmuar për të ardhmen. Përvoja, dija dhe përkushtimi i tyre duhet të gjejnë mbështetjen e duhur, në mënyrë që nesër të japin kontributin e tyre aty ku nevoja për profesionistë të mirë është më e madhe, në çdo qytet të vendit.”- shkruan Spahiu.
