Pasditen e kësaj të hëne kryeministri Edi Rama ishte parashikuar të zhvillonte një takim për fushatë për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të Kamzës, Rakip Suli. Por ky takim nuk do të zhvillohet.
Është vetë Suli që bën të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook. “Të dashur bashkëqytetarë, mbështetës të Partisë Socialiste dhe mua si kandidat për Kryetar i Bashkisë Kamëz, dëshiroj t’ju informoj se takimi i planifikuar për sot do të zhvillohet në një moment tjetër për shkak të ndryshimit të axhendës së Kryeministrit tonë Edi Rama. Ju faleminderit për mirëkuptimin!”, shkruan Suli.
Nuk dihet se cila është axhenda e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që pak pas mesditë përfundoi dhe takimin me ambasadorët e huaj në vendin tonë. Ende nuk dihet asgjë nga biseda që zgjati 1 orë e gjysëm, por ambasadori i OSBE-së Bernd Boschardt tha për median se i takon institucioneve shqiptare të vendosin nëse do të ketë apo jo zgjedhje më 30 qershor.
