Një letër e shkruar nga Donald Trump për Joe Biden, të cilën ia la pasardhësit të tij në Zyrën Ovale më 20 janar 2021, ditën e inaugurimit të Bidenit si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara, është bërë publike pas gati pesë vitesh.
Letra, e përfshirë e plotë në librin e ri të Joe Biden, me titull “Premto mua, Amerikë”, zbulon një anë të pazakontë të marrëdhënies mes dy politikanëve, të cilët ndër vite kanë shkëmbyer akuza dhe sulme të ashpra politike.
Dokumenti ishte vendosur në një zarf të adresuar “Për 46”, duke iu referuar Bidenit si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. E shkruar në letrën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë dhe e firmosur nga Trump, letra përmbante mesazhe urimi dhe këshilla për pasardhësin e tij.
“Shumë presidentë kanë ardhur dhe kanë ikur, duke qeverisur thjesht si republikanë ose demokratë. Në pjesën më të madhe, ata nuk e ndryshuan historinë, por thjesht u rrëmbyen nga rrjedha e saj e pamëshirshme. Kjo nuk do të të ndodhë ty, sepse e di sa shumë e do popullin amerikan”, shruan Trump.
Në librin e tij, Biden rikthehet te momenti kur gjeti letrën në Zyrën Ovale, duke e përshkruar përvojën sikur të ishte përballur me “dy Donald Trump”. Sipas tij, pavarësisht se Trump kishte destabilizuar demokracinë amerikane dhe nuk kishte respektuar traditën e kalimit të pushtetit, letra përmbante fjalë që mund të vinin nga një mik i vjetër.
Ky mesazh bie në kontrast të fortë me marrëdhënien e tyre gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Gjatë fushatës, Trump e kishte cilësuar Bidenin si kandidatin më të keq në historinë amerikane, kishte vënë në pikëpyetje aftësitë e tij dhe e kishte akuzuar për korrupsion.
Pas fitores së Bidenit, Trump refuzoi të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij, duke thyer një traditë të rëndësishme presidenciale.
Megjithatë, në letrën e lënë në Zyrën Ovale, Trump shprehte urimet për suksesin e Bidenit dhe i kujtonte përgjegjësinë e madhe që mbart posti i presidentit amerikan. Madje, në një tjetër pjesë të mesazhit, ai shkruante se ata mund te ishin miq shume te mire.
“Po të mos ishte politika, do të ishim miq të mirë.” shton ai
Në fund të letrës, Trump e mbyllte mesazhin me një urim për Bidenin dhe bashkëshorten e tij, Jill:
“Zoti ju bekoftë ju dhe Jill, dhe Zoti e bekoftë Amerikën! Me respekt, Donald.” citohet në letër.
Ndërkohë, libri i ri i Bidenit, me titull “Premto mua, Amerikë”, pritet të publikohet më 17 nëntor. Ai vjen në një periudhë të vështirë për ish-presidentin amerikan, i cili pas largimit nga detyra është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit, që është përhapur edhe në kocka. Për shkak të trajtimit mjekësor, Biden ka bërë të ditur se do të kufizojë paraqitjet e tij publike gjatë promovimit të librit.
