Shqipëria renditet mes destinacioneve europiane që pritet të fitojnë më shumë popullaritet në vitin 2027, sipas parashikimeve të industrisë së udhëtimeve, të përmbledhura nga Euronews Travel.
Konsorciumi britanik Advantage Travel Partnership e ka përfshirë Shqipërinë mes destinacioneve që duhen ndjekur gjatë vitit të ardhshëm. Sipas organizatës, vendi po tërheq interesin e pushuesve që kërkojnë mundësi të reja përtej zonave më të njohura turistike të Mesdheut.
Raportet e publikuara nga platformat e rezervimeve, agjencitë turistike dhe botuesit e guidave tregojnë se udhëtarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt qyteteve më të vogla, ishujve më pak të frekuentuar dhe destinacioneve që ofrojnë përvoja autentike.
Italia, ndër vendet me më shumë destinacione në rritje
Sipas Expedia, Perugia në Itali është një nga destinacionet europiane me rritjen më të fortë të interesit. Kërkimet për qytetin historik të Umbrias u shtuan me 35% nga viti 2025 në 2026. Në listë përfshihet edhe Chichester në Britaninë e Madhe, me rritje 30%.
Booking.com ka identifikuar tri destinacione europiane në listën e tij për vitin 2027: Reims në Francë, Bratislavën në Sllovaki dhe Pescarën në Itali. Qytetet ofrojnë ndërthurje të trashëgimisë historike, gastronomisë dhe mundësive për pushime më të qeta.
Ndërkohë, Lonely Planet ka përzgjedhur pesë destinacione europiane: rajonin Veneto në Itali, Šibenik në Kroaci, León në Spanjë, Skanör-Falsterbo në Suedi dhe Dessau në Gjermani.
Turistët kërkojnë alternativa ndaj destinacioneve të mbipopulluara
Sipas Skyscanner, Malmö në Suedi, Trapani në Sicili, ishulli grek Samos dhe Kittilä në Finlandë janë ndër destinacionet me rritjen më të madhe të kërkimeve.
Kompania Intrepid Travel rekomandon vende më pak të njohura, si ishulli Alonnisos në Greqi, Liepāja në Letoni dhe rajoni suedez Dalsland. Liepāja do të jetë Kryeqytet Europian i Kulturës në vitin 2027, me mbi 500 aktivitete të planifikuara.
Edhe National Geographic ka përzgjedhur gjashtë destinacione europiane, përfshirë Vestland në Norvegji, rajonin Tricity në Poloni, Leipzig në Gjermani, Normandinë në Francë, Santander në Spanjë dhe Dumfries and Galloway në Skoci.
Rezervimet për Slloveninë, Finlandën dhe Maltën rriten ndjeshëm
Të dhënat e agjencisë Fora Travel tregojnë rritje të fortë të rezervimeve për vitin 2027. Sllovenia kryeson me 152%, e ndjekur nga Finlanda me 138% dhe Malta me 129%.
Sllovenia po tërheq turistë me Alpet Juliane, liqenin Bled dhe rajonet e prodhimit të verës, ndërsa Finlanda po fiton popullaritet për turizmin dimëror dhe mundësinë e vëzhgimit të dritave veriore.
Sipas raportit Virtuoso Luxe, Greqia është destinacioni më i preferuar në botë për muajin e mjaltit në vitin 2027, ndërsa Italia renditet e katërta dhe Franca e teta.
Megjithëse qytete si Roma, Firence dhe Parisi mbeten të preferuara, turistët me të ardhura të larta po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa më të qeta, si Ischia, Puglia, Provence dhe Dolomitet. / Euronews Travel
