Komisioni Europian ka propozuar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, me qëllim mbulimin e një pjese të nevojave financiare të vendit për vitin e ardhshëm, ndërsa vijon luftën kundër pushtimit rus.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën në Bruksel se Ukraina do të duhet ta shlyejë këtë kredi vetëm pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga lufta.
Propozimi synon të ndihmojë Kievin të përballojë një mungesë financimi prej 70 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm. Pjesa tjetër e fondeve pritet të sigurohet nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Ukrainës.
Kjo kredi do t’i shtohet një pakete tjetër prej 90 miliardë eurosh, për të cilën liderët e BE-së ranë dakord në fund të vitit të kaluar për të mbështetur Ukrainën gjatë viteve 2026 dhe 2027.
“Pesë vite pas fillimit të kësaj lufte agresioni, Europa qëndron e bashkuar. Ne jemi po aq të vendosur sa më parë për të mbështetur Ukrainën gjatë luftës dhe në paqe”, deklaroi von der Leyen.
Sipas propozimit të Komisionit Europian, deri në 25 miliardë euro nga kredia e re mund të përdoren për ndihmë ushtarake, ndërsa 20 miliardë euro të tjera do të shkojnë për mbështetjen e buxhetit të shtetit ukrainas. Për të siguruar fondet, Komisioni do të marrë hua në tregjet ndërkombëtare në emër të Bashkimit Europian.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti propozimin, duke thënë se kredia do të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të nevojave buxhetore dhe të mbrojtjes së vendit për vitin e ardhshëm. Ai shprehu gjithashtu shpresën që vendimi të miratohet sa më shpejt nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së, ku përfaqësohen qeveritë e vendeve anëtare.
Komisioneri europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, tha se nevoja për mbështetje shtesë është rritur për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës dhe pengesave në tregti, veçanërisht për shkak të bllokimit të rrugëve të eksportit në Detin e Zi.
Ai theksoi se mbështetja europiane është e rëndësishme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve europianë, të cilët sipas tij kërcënohen nga agresioni rus.
Von der Leyen u shpreh e bindur se të gjitha vendet anëtare do ta mbështesin kredinë e re. Megjithatë, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia nuk morën pjesë në paketën e mëparshme të financimit.
Sipas presidentes së Komisionit Europian, edhe vendet që nuk mbështesin dhënien e ndihmës ushtarake për Ukrainën janë të gatshme të kontribuojnë në mbështetjen e përgjithshme të vendit, veçanërisht për nevojat civile.
