Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pas një debati të gjatë mes pushtetit dhe opozitës, i cili zgjati deri pas mesnatës. Projektbuxheti mori 61 vota për, ndërsa diskutimet u karakterizuan nga përplasje për politikat ekonomike, investimet kapitale, pagat dhe masat sociale.
Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026. Gjatë prezantimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dokumenti synon ta çojë Kosovën në një fazë të re të transformimit ekonomik, duke përfshirë rritjen e pagave, mbështetjen e familjeve dhe investimet në infrastrukturë.
Një nga masat kryesore të prezantuara nga Kurti është pagesa e pagës së 13-të për punonjësit publikë dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027. Për kategorinë e pagave janë planifikuar 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas kryeministrit, kjo shumë për rreth 85 mijë punonjës publikë përkthehet në një pagë mesatare bruto prej mbi 1 mijë eurosh në muaj
