Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, po qëndron për të tretën ditë në Prishtinë, pas lejes së veçantë të dhënë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për arsye humanitare.
Krasniqi është rikthyer edhe këtë të premte në banesën e tij në lagjen Velania, ku po kalon kohë pranë familjes, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Qëndrimi i tij në Kosovë po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, me praninë e forcave të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Sipas raportimeve të mediave kosovare, gjatë ditës ai qëndron në banesën e tij, ndërsa në mbrëmje shoqërohet në ambientet e EULEX-it, ku kalon natën.
Vizita e Krasniqit pritet të zgjasë gjithsej katër ditë, pas së cilës ai do të rikthehet në Hagë, ku po vuan dënimin prej 25 vitesh të dhënë në shkallë të parë nga Gjykata Speciale më 16 shtator 2026.
