Ka qytete që e kanë historinë të shkruar në çdo rrugë, në çdo gur e në çdo cep të tyre. Vlora është një prej tyre.
Më 28 nëntor 1912, ky qytet u kthye në qendrën e një ngjarjeje që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e historisë shqiptare.
Këtu, në këtë hapësirë ku sot shtrihet Sheshi i Flamurit dhe ngrihet Monumenti i Pavarësisë, dikur ngriheshin sarajet e familjes Vlora.
Pikërisht në njërën prej tyre, në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, më 28 nëntor 1912, u ngrit flamuri kombëtar. Godina nuk ekziston më, por historia e saj vazhdon të jetë pjesë e kujtesës së këtij qyteti.
Për të kuptuar se si mbërriti Ismail Qemali në Vlorë dhe pse ky qytet u bë vendi ku u shpall Pavarësia, duhet të kthehemi disa muaj pas, në një periudhë kur Perandoria Osmane po humbiste kontrollin mbi territoret e saj dhe Lufta e Parë Ballkanike kishte vënë në rrezik vetë ekzistencën e Shqipërisë.
Shqiptarët përballeshin me një realitet të ri. Rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare po bëhej gjithnjë e më konkret.
Ismail Qemali, nisi përpjekjet për të bashkuar përfaqësuesit shqiptarë dhe për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.
Rruga e tij drejt Vlorës kaloi përmes Bukureshtit, Vjenës dhe Triestes. Më 26 nëntor 1912 mbërriti në Vlorë, ku përfaqësuesit shqiptarë po mblidheshin për të marrë vendimin që do të përcaktonte të ardhmen e vendit.
Por rruga drejt Pavarësisë nuk nisi në nëntorin e vitit 1912. Përpara se të bëhej njeriu që do të shpallte Shqipërinë të pavarur, Ismail Qemali kishte kaluar vite përballjesh politike me pushtetin e sulltanit, internime të familjarëve dhe përpjekjesh për të ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare.
Një dimension të kësaj historie sjell edhe studiuesi dhe historiani Evarist Beqiri, i cili në një botim të publikuar më 8 nëntor të këtij viti ka nxjerrë për herë të parë një letër të panjohur të Ismail Qemalit, të datës 8 nëntor 1902, dërguar nga Londra të birit të internuar, Mahmudinit.
Sipas Beqirit, dokumenti dëshmon se përplasja e Ismail Qemalit me pushtetin e Abdylhamitit II nuk ishte thjesht një konflikt politik, por përfshinte edhe një dimension diplomatik dhe ndërkombëtar.
Një tjetër fakt që nënvizon Beqiri është se Europa e kishte njohur dhe ndiqte aktivitetin e Ismail Qemalit përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë.
Kthehemi në Vlorë, aty ku historia mori formë konkrete.
Flamuri nuk u ngrit në godinën që sot njihet si Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, por në sarajet e familjes Vlora, në banesën e Xhemil bej Vlorës, kushëririt të Ismail Qemalit.
Bëhej fjalë për një kompleks banimi me dy godina, pjesë e pronës së familjes së njohur vlonjate. Njëra prej tyre, e njohur si selamllëku, shërbeu si vendi ku u zhvillua mbledhja historike e delegatëve.
Këto godina nuk ishin thjesht banesa familjare. Ato përfaqësonin edhe peshën ekonomike, shoqërore dhe politike që familja Vlora kishte në qytet.
Më 28 nëntor 1912, Kuvendi i Vlorës mblodhi përfaqësues nga vise të ndryshme shqiptare.
Vendimi ishte i qartë: Shqipëria të shpallej e lirë dhe e pavarur, nën një qeveri të përkohshme.
Sipas dokumentacionit historik të publikuar nga studiuesi Robert Elsie, pas vendimit të delegatëve, flamuri u ngrit rreth orës 17:30 të pasdites. Një çast që shënoi kalimin nga aspirata kombëtare në aktin e krijimit të shtetit shqiptar.
