Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Ibrahimaj në Konferencën BE–Ballkani Perëndimor: Shqipëria synon investime cilësore dhe integrim industrial me BE-në

11:00 / November 25, 202610 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
WhatsApp Image 2026 11 25 at 10.49.46 AM
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nisi sot Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”, ku Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi vizionin e Shqipërisë për tërheqjen e investimeve cilësore, forcimin e integrimit industrial rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se objektivi i këtij edicioni është kalimi nga dialogu te vendimmarrja konkrete për investime dhe nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi i kapitalit publik dhe privat. Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike në Evropë dhe riorganizimit të zinxhirëve të furnizimit, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë aktive e transformimit industrial, digjital dhe të gjelbër të kontinentit.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria propozon, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shqyrtimin e mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kapacitetet kërkimore dhe prodhuese të rajonit me nevojat strategjike të industrisë evropiane, duke krijuar zinxhirë të rinj dhe më të qëndrueshëm të furnizimit.Një fokus i veçantë, sipas ministres, duhet të jetë te lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm, me synimin që Shqipëria të kapërcejë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojë industri me vlerë të shtuar më të lartë, përmes përpunimit, prodhimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe riciklimit.

Duke prezantuar performancën ekonomike të vendit, Ibrahimaj bëri të ditur se në gjysmën e parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Papunësia në tremujorin e dytë ishte 8.3%, ndërsa paga mesatare bruto u rrit me gati 10% në bazë vjetore.

Ministrja theksoi se sfida e radhës nuk është vetëm rritja e volumit të investimeve, por përmirësimi i cilësisë së tyre, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara. Në këtë drejtim, Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve deri në vitin 2030 përcakton kuadrin për avancimin e reformave rregullatore, përmirësimin e eficiencës administrative dhe forcimin e sigurisë juridike.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishte aksesi në financim. Ibrahimaj vuri në dukje nevojën për zhvillimin e instrumenteve alternative, si kapitali sipërmarrës (venture capital) dhe kapitali privat (private equity), për t’u mundësuar startup-eve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe kompanive inovative të zhvillojnë idetë, të zgjerojnë aktivitetin dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.

Ajo nënvizoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë në eksportin e shërbimeve me vlerë të lartë, veçanërisht në inxhinieri, zhvillimin e programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistikë, duke theksuar se zhvillimi i aftësive profesionale dhe bashkëpunimi i ngushtë mes arsimit dhe industrisë do të jenë përcaktues për fazën e ardhshme të rritjes ekonomike.

Në përfundim, ministrja vlerësoi rëndësinë e Planit të Rritjes të BE-së dhe Tregut të Përbashkët Rajonal si instrumente për reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe zgjerimin e mundësive për bizneset e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi duhet parë jo vetëm si zgjerim i tregut evropian, por edhe si zgjerim i kapaciteteve industriale dhe prodhuese të Evropës”, theksoi Ibrahimaj, duke ftuar investitorët ndërkombëtarë të eksplorojnë potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivat afatgjata të rajonit. Konferenca dyditore synon të forcojë dialogun mes institucioneve evropiane, investitorëve, institucioneve financiare dhe sipërmarrjes, duke identifikuar projekte konkrete dhe mundësi të reja bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Fjala e plotë:

Është një kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen sërish në Tiranë, në edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.

Një vit më parë, ne bashkuam në këtë konferencë mbi 1,000 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe Ballkani Perëndimor, duke hapur shtigje të reja bashkëpunimi në fushën e inteligjencës artificiale, bioteknologjisë, energjisë së gjelbër dhe industrisë së avancuar.

Ajo përvojë konfirmoi interesin e investitorëve ndërkombëtarë për rajonin tonë. Njëkohësisht, na rikujtoi se zotimet politike duhet të shoqërohet me projekte të gatshme për investim dhe mekanizma financiarë që mundësojnë bashkimin e kapitalit publik me atë privat.

Këtë vit, synimi ynë është të kalojmë nga dialogu te vendimmarrja për investime, nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi konkret i kapitalit.

Dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për zotimin e tyre në shndërrimin e kësaj konference në një platformë bashkëpunimi ekonomik afatgjatë.

Koha kur zhvillohen diskutimet tona është veçanërisht e rëndësishme.

Evropa po rishikon mënyrën dhe vendet ku prodhon, mënyrën se si garanton sigurinë e furnizimit me energji dhe mënyrën se si zhvillon teknologjitë që do të përcaktojnë mirëqenien e saj në të ardhmen. Nevoja për autonomi strategjike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit dhe tranzicioni drejt një ekonomie digjitale dhe të gjelbër po riformësojnë peizazhin industrial të kontinentit.

Ballkani Perëndimor duhet të ketë vendin e vet në këtë transformim.

Afërsia jonë me tregjet evropiane, potenciali sipërmarrës, kapacitetet teknologjike në zhvillim dhe përafrimi progresiv me standardet e BE-së i japin rajonit një pozicion tërheqës në aspektin ekonomik.

Argumenti ekonomik për zgjerimin duhet të ecë paralelisht me procesin politik. Çdo investim që lidh kompanitë tona me zinxhirët evropianë të vlerës i afron më shumë ekonomitë tona me Bashkimin Evropian.

Për Shqipërinë, kjo perspektivë është në qendër të agjendës sonë të zhvillimit.

Në gjysmën e parë të vitit 2026, ekonomia jonë u rrit me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Norma e papunësisë ishte 8.3% në tremujorin e dytë, ndërsa paga mesatare bruto u rrit me gati 10% në bazë vjetore.

Këta tregues përbëjnë një bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm. Tashmë, vëmendja jonë është përqendruar te struktura e kësaj rritjeje dhe cilësia e investimeve që arrijmë të tërheqim.

Faza e ardhshme e zhvillimit të Shqipërisë do të formësohet nga kapacitetet prodhuese që ndërtojmë, teknologjitë që përvetësojmë dhe njohuritë që arrijmë të ruajmë e zhvillojmë brenda ekonomisë sonë.

Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara.

Strategjia jonë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve, me një horizont deri në vitin 2030, përcakton kuadrin për realizimin e këtij objektivi. Ne po avancojmë reformat rregullatore, po përmirësojmë eficiencën administrative dhe po forcojmë sigurinë juridike, ndërkohë që po përgatisim bizneset shqiptare për të operuar brenda hapësirës ekonomike evropiane.

Por linjëzimi rregullator duhet të përkthehet edhe në integrim industrial.

Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria propozon që, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, të shqyrtojmë mundësinë e zhvillimit të një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.

Objektivi është të bashkojmë investime plotësuese në të gjithë rajonin, duke lidhur burimet tona natyrore, energjinë e pastër, kapacitetet kërkimore dhe ato prodhuese me nevojat strategjike të industrisë evropiane.

Lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre në mënyrë të qëndrueshme përbëjnë një pikënisje veçanërisht premtuese.

Burimet minerare të Shqipërisë, potenciali i saj për energji të ripërtëritshme dhe infrastruktura industriale ekzistuese mund të kontribuojnë në krijimin e zinxhirëve evropianë të furnizimit më të qëndrueshëm, më të diversifikuar dhe më të qëndrueshëm ndaj sfidave.

Ambicia jonë është të kapërcejmë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojmë aktivitete industriale me vlerë të shtuar më të lartë, duke përfshirë përpunimin, prodhimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe riciklimin.

Ne propozojmë nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët tanë rajonalë, me synimin për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare, me qëndrueshmëri tregtare.

Për Ballkanin Perëndimor, kjo do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt integrimit industrial përpara anëtarësimit në BE. Për Bashkimin Evropian, do të kontribuonte në forcimin e konkurrueshmërisë industriale, sigurisë ekonomike dhe autonomisë strategjike.

Prandaj, zgjerimi duhet parë jo vetëm si zgjerim i tregut evropian, por edhe si zgjerim i kapaciteteve industriale dhe prodhuese të Evropës.

Një nga sfidat strukturore që duhet të adresojmë është aksesi në kapital.

Sistemet tona financiare tradicionalisht janë mbështetur te kreditimi bankar. Megjithatë, një sipërmarrës që zhvillon një zgjidhje të bazuar në inteligjencën artificiale përballet me sfida financimi shumë të ndryshme nga ato të një kompanie të konsoliduar që synon të zgjerojë kapacitetet e saj prodhuese.

Të dyja kanë nevojë për një sistem financiar që kupton modelet e tyre të biznesit.

Zhvillimi i kapitalit sipërmarrës (venture capital), kapitalit privat (private equity) dhe instrumenteve alternative të financimit është thelbësor, në mënyrë që kompanitë me potencial të mund të komercializojnë idetë e tyre, të zgjerojnë aktivitetin dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.

Për këtë arsye, mirëpres nismat e mbështetura nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do të prezantohen gjatë kësaj konference.

Mbështetja e dedikuar për startup-et në fushën e teknologjive të avancuara (deep-tech), mekanizmat e ndarjes së riskut për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe garancitë për infrastrukturën digjitale dhe energjetike, u përgjigjen nevojave konkrete të ekonomive tona. Efektiviteti i tyre do të varet, në fund të fundit, nga aftësia për të mbërritur te bizneset dhe për të mobilizuar kapitalin privat.

Duhet të njohim gjithashtu rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që po marrin shërbimet në zhvillimin ekonomik.

Për vende si Shqipëria, rritja ekonomike e së ardhmes do të vijë gjithnjë e më shumë nga ajo që dimë, ajo që projektojmë dhe shërbimet që ofrojmë përtej kufijve tanë.

Inxhinieria, zhvillimi i programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistika ofrojnë mundësi të konsiderueshme për të gjeneruar të ardhura nga eksportet dhe për t’u bërë pjesë e zinxhirëve evropianë të vlerës me nivel të lartë kompleksiteti.

Disponueshmëria e fuqisë punëtore me aftësi të specializuara do të përcaktojë vendndodhjen që do të zgjedhin shumë prej këtyre industrive. Për këtë arsye, sistemet tona të arsimit dhe formimit profesional duhet të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me punëdhënësit, duke iu përgjigjur nevojave reale të industrisë.

Po aq i rëndësishëm është edhe zgjerimi i tregjeve tona.

Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët.

Plani i Rritjes i BE-së dhe Tregu i Përbashkët Rajonal krijojnë një kuadër për reduktimin e fragmentimit, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe shtrirjen graduale të përfitimeve të Tregut të Vetëm Evropian te bizneset tona.

Për një kompani që po shqyrton mundësinë e investimit në Shqipëri, aftësia për t’u shërbyer tregjeve fqinje dhe për të pasur akses gradualisht në hapësirën më të gjerë ekonomike evropiane mund të ndryshojë rrënjësisht llogaritë ekonomike dhe leverdinë e këtij investimi.

Gjatë këtyre dy ditëve, do të kemi mundësinë të dëgjojmë drejtpërdrejt sipërmarrësit, menaxherët e fondeve, institucionet financiare dhe kompanitë që operojnë në të gjithë rajonin.

Si politikëbërës, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të kuptuar vendimmarrjen e investitorëve, për të identifikuar pengesat që i vështirësojnë bizneset të zgjerohen dhe për të përcaktuar se ku ndërhyrja publike mund të ndihmojë në realizimin e projekteve ekonomikisht të qëndrueshme.

Investitorëve që na janë bashkuar sot, i ftoj të angazhohen me sipërmarrësit tanë, të eksplorojnë kapacitetet e kompanive shqiptare dhe të vlerësojnë perspektivat afatgjata të rajonit tonë

Ju falënderoj dhe ju uroj të gjithëve një konferencë të suksesshme dhe produktive!

Ibrahimaj investime strategjike konferenca BE
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Rrëzohet avioni në SHBA, humbin jetën gjashtë persona

11:05 / November 25, 2026

Fishekzjarrë kontrabandë/ Goditet rrjeti në Tiranë, pranga 25-vjeçarit

10:53 / November 25, 2026

Dronët ukrainas godasin dy rafineri të gjigantit rus Rosneft, ndërpritet përpunimi i naftës në dy impiante

10:12 / November 25, 2026

Japonia synon të bëhet fuqia e tretë botërore në fushën e Inteligjencës Artificiale

10:05 / November 25, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.