Delegacioni i organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tyre tre ditore në Tiranë.
Kjo vizitë erdhi në një kohë kur kryeministri Edi Rama tha se do e padisë në gjykatat gjermane gazetarin e Bild, Peter Tiede, i cili publikoi përgjimet e dosjeve 339 dhe 184 për blerje votash në vitin 2017.
Në një konferencë për shtyp këtë të premte delegacioni zbuloi dhe se çfarë u kishte thënë Rama gjatë takimit me ta.
Vetë kryeministri gjatë këtij takimi është shprehur se është i angazhuar për të shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit të plotë të ligjit për shpifjen penale. “Ai tha se ai personalisht nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve, por do të vazhdonte të sjellë raste të shpifjes civile kundër gazetarëve në raste “ekstreme””, thuhet në deklaratën e ECMF-së. Kryeministri ka lënë të nënkuptohet se raste “ekstreme” për të është edhe ai i Bild, për gazetarin Peter Tiede.
Rama gjatë këtij takimi ka mbrojtur përdorimin e gjuhës së tij ndaj gazetarëve, por megjithatë është angazhuar se nuk do i quajë më gazetarët “kazanë” në të ardhmen.
Rama u kritikua nga delegacioni dhe për ERTV-në që sipas Delegacionit nuk i jep aksesin gazetarëve të jenë të pranishëm, duke ua servirur materialet gati. “Në një takim me delegacionin, Kryeministri Rama nuk u pajtua me gjetjet e mësipërme, duke thënë se ai zhvillon konferenca shtypi “kur ishte e nevojshme”, duke shtuar “Ne nuk bëjmë asnjë lloj përzgjedhjeje, nuk themi” ju jeni në “ose ‘je jashtë’ – ne ftojmë dhe të gjithë janë atje “. Ai tha se ishte i hapur për pyetje nga të gjithë gazetarët dhe se ai kurrë nuk i mohoi kujtdo aftësinë për të mbuluar fushatat e tij zgjedhore. Ai e përshkroi ERTV thjesht si një “dritare” në aktivitetet e qeverisë”, vijon deklarata.
Delegacioni ka dhënë disa rekomandime për autoritetet në Shqipëri. Ata i rekomandojnë qeverisë të eliminojë çdo dispozitë ligjore që do të impononte kërkesat e regjistrimit dhe rregullimin shtetëror të mediave në internet, si dhe dispozitat duke i dhënë rregullatorëve fuqinë për të pezulluar ose bllokuar qasjen në publikimet elektronike dhe gjobat.
