Në një deklaratë të përbashkët, nga Bratislava, Kopenhageni dhe Viena, krerët e OSBE-së bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje në Shqipëri.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, e cila ka dhe presidencën e radhës të OSBE-së, Miroslav Lajcak, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Roberto Montella në një deklaratë të përbashkët thonë se OSBE ka monitoruar ngjarjet në Shqipëri dhe kanë kërkuar gjithmonë që palët të angazhohen në politikë konstruktive, duke respektuar proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë përmbajtje.
DEKLARATA E KRERËVE TË OSBE
“OSBE ka ndjekur nga afër ngjarjet dhe ka nxitur vazhdimisht aktorët që të angazhohen në një politike konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë përmbajtje. Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të përfshihen në dialog pa parakushte, dhe të sigurojnë që zgjedhjet e të dielës të jenë paqësore. Ne i nxisim të gjitha palët e interesuara që të mbështesin sundimin e ligjit, të respektojnë rolet kushtetuese në respekt të institucioneve demokratike dhe lirive themelore, dhe të shmangin dhunën; si kryesuesit dhe nxitësit e akteve të dhunës do të jenë përgjegjës. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit që të përdorin masa proporcionale.

Duke pranuar të drejtën e shqiptarëve për protestë me mjete paqësore, OSBE dënon ashpër sulmet e fundit të dhunshme që kanë si objektiv organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve në bashkitë në të gjithë Shqipërinë, duke dëmtuar shkollat dhe materialet e votimit.
Të gjitha kundërshtitë politike dhe administrative duhet të zgjidhen në përouthje me ligjin dhe proceset ligjore. Çdo përpjekje për të prishur procesin demokratik përmes akteve të dhunës ndalon progresin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore lidhur me zgjedhjet, duke përfshirë blerjen e votës, shpërdorimin e fondeve publike, dhe ushtrimin e presionit për punonjësit e administratës publike duhet të përballet me pasojat ligjore,
Duke pasur parasysh përparimin e vendit në fusha kyçe vitet e fundit, të shprehura me miratimin unanim të 56 vendeve anëtare për kërkesën e Shqipërisë për të drejtuar OSBE në 2020, ne jemi të bindur se Shqipëria do të jetë e aftë të bëjë progres nëse pjekuria dhe përgjegjshmëria lidhur me progresin e vendit dhe reputacioni nxiten në vend.
Si gjithmonë, OSBE është e gatshme, si mbështetëse dhe si mik, të punojë me institucionet kombëtare për të ecur para me prioritetet e vendit, në fund të fundit në interes të qytetarëve shqiptarë.
Pas 30 qershorit, OSBE do të mbështesë fuqishëm përpjekjet e riforcuara për reformat e vendit, përfshi dhe atë në lidhje me gjyqësorin, sipas kërkesave dhe aspiratave të popullit shqiptar”.
