Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Tiranës që dënon ish deputetin demokrat Ervin Salianji me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë, vihet në dyshim edhe karriera e tij politike.
Por avokati i Salianjti, Ledio Braho i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora sqaron se në kushtet aktuale, ish-deputetit nuk i rrezikohet karriera politike.
Sipas avokatit, vetëm një vendim dënimi me 6 muaj burg do ti rrezikonte karrierën politike për një periudhë të caktuar.
Ledio Braho shprehet se: “Në fazën që ndodhemi tani nuk ka asnjë pasojë sa i përket ligjit të dekriminalizimit apo çdo ligji tjetër sepse Ervin Salianji dhe tre të pandehurit e tjerë konsiderohen të pafajshëm, deri në momentin që ka një vendim të formës së prerë, që është vendimi i Gjykatës së Apelit. Edhe në rastin e një vendimmarrje të Gjykatës së Apelit është çështja e pafajësisë, kthimi për rigjykim, dënim me gjobë. Të gjitha këto nuk e cënojnë karrierën politike të Ervin Salianjit. Vetëm një dënim me burgim mbi 6 muaj e cënon karrierën politike për një afat të caktuar. Ndërkohë që çdo vendimmarrje tjetër nuk e cënon atë. Por megjithatë ne do vazhdojmë të gjitha mjetet e ankimit dhe e drejta do të dalë në një moment. Këtu kemi rastin e pastër të lirisë së shprehjes së një politikani dhe të një gazetari që është një liri e sanksionuar jo vetëm nga kushtetuta dhe konventa evropiane e të drejtave të njeriut, por edhe nga një praktikë shumë e konsoliduar e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sidomos kur bëhet fjalë për politikanë dhe gazetarë.”
