Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.
Një debat i gjatë u zhvillua në Parlamentin holandez për këtë çështje, ndërkohë që më pas u miratua dhe kërkesa e iniciuar nga deputetja Toorenberg.
Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika.
Lexo edhe- Holanda bën hapin zyrtar, dorëzon në BE kërkesën për pezullimin e regjimit pa viza
Vetëm tri ditë më pas Komisioni Evropian konfirmon marrjen e njoftimit zyrtar nga Holanda. “Ne konfirmojmë që kemi marrë njoftimin e Holandës për Shqipërinë lidhur me aktivizimin e mekanizmit të pezullimit së vizave. Komisioni tani do të shqyrtojë me kujdes brendësinë e njoftimit bazuar në të dhënat e paraqitura dhe rrethanat specifike. Hapi i ardhshëm i yni është të informojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian për këtë njoftim dhe të shqyrtojmë njoftimin. Sigurisht që vendimi për pezullimin e lëvizjes së lirë nuk mund të merret lehtësisht dhe çdo hap drejt aktivizimit të këtij mekanizmi do t’i nënshtrohet një analize dhe shqyrtimi shumë të kujdesshëm, kryesisht lidhur me marrjen në konsideratë të kritereve të përfshira në këtë procedurë”, tha Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së.
Lexo edhe- KE konfirmon zyrtarisht kërkesën e Holandës për viza ndaj Shqipërisë
Ky vendim i Holandës solli mjaft përplasje në Tiranë në sferën politike. Teksa maxhoranca shprehej se nisma është marrë nga deputetë që kanë qenë gjithmonë kundër integrimit, opozita e ka parë si rezultat i nivelit të ulët të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës.
Vetëm dy javë pas dorëzimit zyrtar të kërkesës së Holandës në Komisionin Evropian parlamenti holandez miratoi dhe qëndrimin zyrtar për çeljen e negociatave për Shqipërinë duke bërë të ditur se janë kundër hapjes së tyre. “Parlamenti i Holandës, në datën 12 të muajit qershor, miratoi një mocion ku i kërkonte qeverisë të mos pranojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vendim nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që në datën 18 qershor të hapen negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm”, do të njoftonte ambasada holandeze me 12 qershor.
Lexo edhe- Holanda sqaron votën “jo” për Shqipërinë: Duam rezultate në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit
Parlamenti Europian ka tashmë një muaj afat për të diskutuar për kërkesën e Holandës, një periudhë që përkon dhe me vendimin e Këshillit për çeljen e negociatave me BE-në për Shqipërinë. Po teksa ka kaluar gjysma e afatit, dhe afati fundit është fillimi i korrikut, burime nga KE për tirananews.al thonë se ende nuk është vendosur asgjë për shqyrtimin e kësaj kërkese.
“Ne konfirmojmë se komisioni e ka marrë njoftimin nga Holanda lidhur me Shqipërinë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave. Komisioni tani do të vlerësojë me kujdes përmbajtjen e njoftimit në përputhje me procedurën dhe bazuar në të dhënat relevante dhe informacionin në dispozicion lidhur me rrethanat specifike”, thotë një zëdhënës i KE-së për tirananews.al. Por megjithatë nuk jepet informacion nëse është vendosur një datë se kur do të diskutohet kjo kërkesë.
Nëse kërkesa e Holandës do të miratohet atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh dhe gjatë kësaj periudhe Komisioni do të “krijojë një dialog të zgjeruar me shtetin e tretë në fjalë, me qëllim që të korrigjojë rrethanat në fjalë”.
Lexo edhe- Nëse BE miraton kërkesën e Holandës, ja për sa kohë pezullohet lëvizja e lirë për shqiptarët
Afati i fundit është fillimi i korrikut, ndërkohë që edhe në vetë Bashkimin Europian do të ketë ndryshime pasi do të formohen strukturat e reja pas zgjedhjeve të majit, çka do të thotë se shqyrtimi do të mbetet në dorë të instancave të reja.