Unë e di se sot ju as nuk hiqni, as nuk vini taksa, zoti Basha. Po pyetja që zgjodha edhe si titullin e radhëve të këtij shkrimi vjen në vëmendje publike nga pardje, kur ju keni filluar të shpërfaqni programin tuaj ekonomik. Programin ekonomik të Partisë Demokratike. Të opozitës kryesore politike, e cila mënon të vijë në pushtet, e atëherë kur kjo të ndodhë, i bie asaj detyra që të administrojë edhe sistemin e taksave. Kjo si arsye e përgjithshme, por ka edhe një veçanti, që përbën edhe arsyen për t’u ndalur këtu. Taksa më rishtare e rritur është ajo për librin. Nga zero është rritur 6% Tatimi i Vlerës së Shtuar. Pra, është rritë 6% TVSH-ja e librit !…
Dhe ka hyrë në fuqi më 1 janar, pasi është miratuar në “terr” përgjatë ditëve të dhjetorit. (besoj se ju e dini, zoti Basha dhe nëse nuk e dini, nuk është mirë për ju). Si të ishte ligj lufte është miratuar! (pritna Zot!). Botuesit, ata që përbëjnë grupin më direkt të interesit, e kanë marrë vesh, ditët e para të janarit, që kjo ka ndodhë… Në mënyrë të tërthortë dhe aspak si një komunikim normal të qeverisë, e cila ka detyrimin edhe ligjor, që ligjin përpara se ta miratojë, të shoshitë e shtjellojë, në radhë të parë me më të interesuarit dhe ata që i prek drejtpërdrejt. E pashembullt, e pangjarë ndokund tjetër, jo e jo në Europë, por as në vendet përreth nesh, kjo rritje e taksës për librin. Maqedonia, që shënon më të lartën taksë për librin në rajon e më përtej, e ka 4%.
Një qeveri që rrit taksat për librin, më së pakti tek ajo, do qortuar raporti me kulturën, me trashëgiminë, me prosperitetin, por edhe me identitetin kombëtar. Por, libri, masa tagrarritëse për të prej qeverisë është, së paku e katërta në radhë për t’u shënuar nga veprimet kontroverse të qeverisë së rilindësve të rinj, përgjatë qeverimit të tyre 6-vjeçar. Vetëm në fushën e kulturës e të dijes…
Në këto gjashtë vjet ka ndodhur të mbyllen universitete.
Sigurisht, me plot të drejtë për disa syresh, që vetëm emrin kishin të tillë. Dhe ca ngrehina të bukura ku akomodoheshin mijëra “studentë”, që thjesht paguanin mirë e si shpërblim merrni ata kartonët e quajtur “diplomë”. Për disa të tjerë që regjistrimin e pagesën për të kishin arrit deri atje sa ta bënim shkëmbyer me patate a qepë, për shembull. Pra, me të ardhura në natyrë. Më keq se në Mesjetë. E marrja e vlerësimi i dijeve aty, në të njëjtën mënyrë komunikonte. Dhe u bë pastaj një ligj tjetër i ri. U shpresua se ai do të ishte rregullatori i katrahurës. Po çfarë rezultoi? Shumë pak gjë e aspak gjë rregulluese. Në vend të universiteteve të “patateve” u frynë e u majmën me para publike ca të tjera, me padronë e administratorë preferencialë të qeverisë në kurriz të universiteteve publike. (Në fakt, specie preferenciale për të gjitha qeveritë. Apo jo, zoti Basha?) Për shumë më keq në kurriz të parave publike të konsumuara me të padrejtë e në mënyrë korruptive. Por ka edhe më. Ata nuk kuruan asgjë në lëngatën e madhe të arsimimit universitar. Ata lanë të njëjtin sistem të kalbur. Me të njëjtat plagë e vuajtje.
Nder e adhurim e respekt pa kufi, për studentët që e hapën plagën. Plaga ende kullon…Dhe ata po përpiqen ta shërojnë.
Në këto gjashtë vjet ka ndodhur të bëhet me ligj shembja e Teatrit Kombëtar.
Edhe se një akt i kundërshtuar gjerësisht, që do të cenonte atë që përbën një vlerë të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare. Argumentuar kjo prej mendjeve më të hapura e më të ndritura të Shqipërisë. (Unë besoj se prof. Aurel Plasari është njëri prej tyre). Po prapë arbitrariteti i kthyer në ligj është aty. Ai i rri si mburojë krimit që pritet të ndodhë. Ani, pse një protestë e artistëve vijon prej disa muajsh, pa u ndalur aty. Teatri, me gjithçka ka, me historinë tetëdhjetëvjeçare të aulës së njërit prej zhanreve bazike të kulturës sonë, po edhe me atë pjesë qytetërimore të vlerta urbane e historike edhe modeste qofshin, gjithashtu po pritet të shembet. Kryebashkiaku rri në roje të présë së tij-kulla që do të kalojnë andej pari mbi pjesën e pronës publike. Ani pse në ditardhjet e tij në atë zyrë i qe ngjirur zëri, duke bërtitur kundër kullave, që tani prapë mbijnë si kërpudhat, duke fshirë kështu çdo gjurmë të trashëgimisë urbane e qytetërimore të kryeqytetit…
Në këto gjashtë vjet ka ndodhur mbytja n’ujë e Bibliotekës Kombëtare.
Dhe kjo, aspak si fatkeqësi e fuqi natyrore. Por vetëm e vetëm prej babëzisë së shtetarëve përgjegjës për të zaptuar çdo pëllëmbë të truallit për ndërtim kullash. Të mbitokës e të nëntokës së qytetit për përfitime prej ushtrimit të pushtetit. Të padrejta, të paligjshme e shumë mëkatare. Për ca metra parkingje nëntokësore janë gati t’i përmbytin a t’i vënë zjarrin edhe fondit të librave e shtëpinë e tyre, Bibliotekën Kombëtare ta degdisin diku… Dreqi e di se ku në ndonjë rrëzë. Në logjiken e kapanoneve të kthyer në “Teatërturbinë”(!)
Dhe tani së fundi është shtrenjtuar libri…
Është rritur edhe më shumë taksa e shtetit për të. Në hallkën e fundit, atë të shitjes, është rritur nga zero që ishte, në 6 për qind. Por, në të vërtetë, z. Basha, një rëndesë e madhe e kostos së librit, aty ka qenë edhe më parë. Në “fabrikat” e prodhimit të librit, në shtypshkronja, pra, i gjithë operacioni ekonomik aty, ka qenë i taksuar. Tatimi mbi vlerën e shtuar, për të gjitha lëndët e para, duke filluar nga letra, lastrat, kimikatet, ka qenë dhe është 20%. Njësoj si për çdo produkt tjetër utilitar në këtë vend. Njësoj edhe me gjërat e luksit, gjithashtu. Asnjëra prej qeverive të mëparshme nuk ka shkëlqyer në trajtesën për librin, desha të them. Pa fol pastaj për investimet shtetërore për librin, për atë pjesën publike të tij siç janë bibliotekat, ku gjithherë, entet shtetërore të kulturës kanë qenë të gatshme të mbështesin gjithfarë orgjie a banaliteti me shifra më të konsiderueshme se ato për librin… Së paku deri tani, kështu ka ngjarë.
Sa mirë do të ishte që të mos kishim heshtjen si përgjigje të pyetjes!
Nga Frano Kulli