Në vitin 1958 Boris Pasternak nderohej me Çmimin Nobel për Letërsinë. Bashkimi Sovjetik e detyroi shkrimtarin të mos e pranonte çmimin. Ditëve të dilemës mes pranimit ose jo u rigjallërua ajo bisedë e vjetër mes Stalinit dhe poetit rus: Ç’mendon ti për Mandelshtamin? Shoku Stalin, ne jemi ndryshe!
I përfolur për vite me radhë si një ndër shkrimtarët pretendentë për Çmimin Nobel, Ismail Kadare vendos veten në vendin e Pasternakut. Do t’i kishte “tradhtuar” ai miqtë e tij poetë?! Po vetë Pasternakun, me të cilin ishte fis në art?! Rreth kësaj pyetjeje enigmë, Ismail Kadare ndërton veprën e tij më të fundit: “Kur sunduesit grinden”, i prezantuar këto ditë gjatë edicionit të 21-të të Panairit të Librit.
Kadare rindërton 13 variante mbi telefonatën e Pasternakut me Stalinin, por pa e ndarë atë edhe nga një realitet shqiptar, i cili ngre krye, jo vetëm në raportin e vetë Kadaresë me diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin komunist, por edhe të poetëve e shkrimtarëve të tjerë, si në rastin e Fan Nolit e Lasgush Poradecit përballë regjimit të Zogut e të Hoxhës. Raporti shkrimtar-sundues dhe “grindja” me tyre, përbën një temë universale, të parapëlqyer nga Kadare, që, sipas tij, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithë jetës. E bashkë me të edhe pyetja: “Ç’mendon ti për…?”
Në ditët e fushatës kundër Pasternakut, telefonimi i tij me Stalinin, lidhur me Mandelshtamin e arrestuar, përmendej si një nga ngjarjet kryesore për ta poshtëruar poetin. Sidomos ajo pjesë e bisedës kur Stalini e pyeste ç’mendonte për Mandelshtamin. Tregoheshin pesë apo gjashtë versione të saj, por flitej se kishte shumë më tepër, njëri më i keq se tjetri.
Idiot, e shava prapë bjellorusin, po më shumë që shikoja ëndrra të tilla. Kjo s’më pengoi që një copë herë ta vrisja mendjen nëse mund të kishte ose jo një tjetër version.
Shoku Enver do të flasë me ju… Ç’mendoni për Mandelshtamin… Domethënë për Lasgush Poradecin, ose për Paskon, ose Markon që… burg… domethënë që ndonëse sapo kishin dalë nga burgu… mund të ktheheshin prapë atje.. Ose më thjesht, për Agollin, Qiriazin, Arapin… që… burg… domethënë që ndonëse ende burg s’kishin bërë. Që t’i biem shkurt, ç’mendon për veten tënde. Për këtë të fundit, domethënë veten time, mund ta kisha më lehtë. Unë, si të gjithë, mendoj të shkruaj për jetën… pavarësisht nga një novelë e pabotuar, që mund të jetë bërë problem gjer te shoqja N., për jetën studenteske në Moskë. Ndonëse ngjarjet ndodhnin larg, në breg të Baltikut, në vendin e quajtur Dubulti, në një shtëpi pushimi shkrimtarësh.
Ç’mendim keni për Pasternakun?
Pyetja ngjante e befasishme, ndonëse nuk ishte aspak e tillë. Në të vërtetë ishte e vetmja që nuk do të doja të më bëhej.
Pasternaku? S’kisha të bëja me të. Veç një ditë e kisha parë nga larg në Peredjelkino. Edhe në qoftë se përmendej në vazhdimin e novelës, kjo lidhej me fushatën, në sfond të së cilës ndodheshin ngjarjet. Ishte një e afërme e tij në Institutin Gorki. Një studente e vitit të dytë, që i kishte sytë vazhdimisht me lot. Për arsye që merreshin me mend. Isha gati të zgjatesha në hollësira të kota, veç të mos vinte pyetja tjetër, që po më dukej edhe më e keqe, ajo e Çmimit Nobel.
Ishte e lehtë të thoshe se shumica e studentëve, ndërsa ulërinin në kor kundër tij, nuk ëndërronin veç për të. Ndërkohë s’ishte fjala për ta, por për mua vetë. Mos do të thosha se s’më kishte shkuar as në mendje? Natyrisht që jo. Mendja më kishte shkuar shpesh, sidomos më pas, shumë kohë më pas, kur u pëshpërit se mund të isha unë vetë… në atë listën.
Aha, ndaj edhe zhurma kundër Pasternakut është përshkruar aq habitshëm, gjithsesi pangjashëm. Thua se s’është vetëm për të, por veç tij, edhe për dikë tjetër. Ndoshta për ty vetë. Ndaj nervozizmi ishte i keq e njëherazi dehës. Ti, i vetëm, përballë vendit tënd, që të shan e të ulërin mu në fytyrë, me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh. Ktheje atë çmim të nëmur, klithin të gjithë studentët, gratë shtatzëna, minatorët e Tepelenës. Ndërsa ti, trillan që lëkundesh, ta marr a mos e marr, si të thuash, mëdyshje Hamleti. Dhe patriarku Sterjo Spasse, që ashtu si Kornei Çukovski, që i shkoi në daç Pasternakut, të vinte te ty, të kam si djalin tim, sot jam, nesër s’jam, për hir të kujtimeve të Moskës… ktheje atë helm sa s’është vonë!
Për fat të mirë, gjendje të tilla më ndodhin rrallë. Ato që në mendjen time i quaja shtegtime moskovite të natës, rralloheshin sa herë që mbaja shënime për romanin. Ishte i vetmi që po më zgjatej mbi dhjetë vjet. Shkruaja herë pas here disa faqe, thua se përpiqesha ta merrja me të mirë. Së paku t’i tregoja se nuk po e braktisja.
Ishte si të mbaje një shpend të bukur, por tepër të rrezikshëm, në kafaz. Kishte çaste që nervozohesha kundër tij dhe natyrisht kundër vetes. Thelbi i acarimit lidhej me detyrimin që ata (domethënë romani, unë vetë, ca flokë vajzash, Moska, arti) kujtonin se kisha ndaj, Zoti e dinte kujt, për ta kryer atë.. rit.
* * *
Ç’mendon ti për Mandelshtamin?
Përgjigja e Boris Pasternakut “ne jemi të ndryshëm, shoku Stalin”, përmendej përherë e më shpesh si vërtetim i lënies në baltë të shokut.
Ç’mendoja unë për Pasternakun?
Përgjigjen “ne jemi ndryshe” mund ta thosha më lehtë, sepse ashtu ngjante: komb tjetër, shtet, kohë, fe, gjithashtu. Aq më tepër gjuhë.
Megjithatë, ishim fis. Dhe kjo s’ndryshohej dot. Moska ishte bërë e pashmangshme qysh ditën që ishte bërë e përshtatshme për art. Rrjedhimisht, Pasternakun e bënte të pashmangshëm demoni i farefisnisë së artit. Duke mos e shmangur dot, unë do të gjendesha midis tij dhe shtetit komunist. Pra, me poetin kundër shtetit. Ose me shtetin kundër poetit. Ose asnjanës, me askënd.
Kishte ndodhur ndërkaq diçka e pabesueshme: mundësia për të qenë kundër shtetit sovjetik nuk përjashtohej. Po kurrsesi në rastin Pasternak. Njëqind herë kurrsesi. Sipas pikëpamjes shqiptare, shteti sovjetik e vërtetoi edhe një herë që ishte mizor, jo sepse u soll keq me poetin, por ngaqë u soll tepër… butë!
Në një mbledhje të përfytyruar të krejt kampit socialist, ende të papërçarë, pas fjalëve shokë, shtete, vende vëllezër komunistë, na ka dalë një hall i madh me një poetin tonë, të përkëdhelur nga borgjezia botërore. Na jepni një këshillë, ç’duhet të bëjmë me të. Isha i sigurt se së paku dy shtete, Shqipëria ime dhe Korea e Veriut, do të përgjigjeshin të parët: ç’të bëjmë? Ajo dihet. Atë që kemi bërë gjithmonë: plumbin në kokë dhe kjo punë mbyllet.
Rasti e kishte sjellë që mund të ndodhte pandehma e parë e pamundur: të isha kundër shtetit sovjetik. Por pandehma tjetër, të isha, siç e kërkonte logjika, pro Pastërnakut, ishte e papërfytyrueshme. Kundër të dyve. Me njërin kundër tjetrit. Me të dy. Me askënd. Të gjitha versionet ngjanin delirante. Paanësia shkrepte aty-këtu, por s’prapsej sakaq. Isha i huaj, isha ndodhur rastësisht në atë lëmsh. Le të bënin ç’të donin, të pajtoheshin, t’i nxirrnin sytë njëri-tjetrit. Unë s’kisha punë me ta. Isha i ndryshëm.
Një e qeshur makabre ishte e vetmja gjë që mund ta shoqëronte atë lloj të menduari. Jo vetëm që s’isha i rastit në atë histori, por më shumë se kushdo isha i përzier në të. Ishte më shumë se çështje farefisnie. Ishte një kurorë tmerri midis. Atje në Peredjelkino, në katin përdhes të daçës së tij, i shtrirë në shtratin e ngushtë si prej ushtari, po jepte shpirt, i vrarë prej çmimit Nobel, Boris Pastërnaku. Pas më shumë se gjysmë shekulli që ai çmim i jepej, poeti rus ishte i vrari i parë i tij. Do të vajtohej si rrallëkush prej të afërmve, fëmijëve, Zinaida Mihajlovnës, njerëzve të panjohur, së dashurës. Ishte muaji maj, ndodhesha ende në Moskë dhe turbull e ndieja lidhjen e ardhshme enigmatike me të.
Vitet kalonin. Në vend që ajo lidhje të mjegullohej, ndodhte e kundërta. Ishte përtej gjithçkaje, duke përfshirë edhe vullnetin tim..
* * *
Kisha dëshirë prej vitesh të shkruaja diçka për vitet studenteske në Moskë. Madje romani kështu niste, por larg e larg. I lehtë, lirik. Një shtëpi pushimi shkrimtarësh në breg të Baltikut, pranë Rigës. Muzgje të bukura. Lojë pingpongu, një vajzë me emrin Birgita, siç quheshin gjysma e letonezeve. Askush nuk parandiente stuhinë e përçarjes së madhe të kampit socialist. Atë që po afrohej bashkë me vjeshtën e Moskës. Dhe që kërkonte doktor… zhiv… E ndieja që, kundër zakonit tim, po flisja pak si tepër, si gjithë ata që ndiheshin në faj. Shkurt, Pastërnaku hynte rastësisht. Me të dëgjuar emrin e tij, ai tundi prapë kryet i kënaqur. Ata pesë-gjashtë rreshta ishin vërtet brilantë. S’kishte nevojë më tepër për të dhënë gjendjen.
Hm, ia bëra me vete, duke u përpjekur të kuptoja habinë e tij, kur të shihte se nuk ishin pesë-gjashtë radhë, por gati gjysma e romanit. Do të doja që biseda për shkrimtarin e mallkuar të mos zgjatej më. Pra, po afronte vjeshta moskovite. Me fjalë të tjera, histori të zakonshme vajzash, midis të cilave ndodhte mitingu i pst.
* * *
Unë isha i ndryshëm, shoku Stalin. Nga Ahmatova, nga Nadjezhna, Mandelshtam, domethënë nga burri i saj e sidomos nga Pst. Dhe sa për atë listën, le ta tundnin sa të donin. Lista mund të bënte gjithkush për gjithkënd.
Befas, përpara se ta kapja qartë, e ndjeva se diçka po ma thyente hakërrimin. Një fjalë e redaktorit apo një buzëqeshje ironike e tija, tek ndiqte me sy vrullin me të cilin gati sa nuk po i shqyeja fletët? Ishte më keq. Ironia vinte nga vetë libri. Nga një frazë e tij, ishte strukur aty, te gjysma e kreut të katërt, si në pritë. Desha të bëja se s’po e vija re dhe të shkoja më tutje, por s’munda. Ishte letra e një vajze ruse që dukej sikur djalli vetë më kishte shtyrë ta botoja. Në të vërtetë ishte një P.S., një post-scriptum në fund të letrës. “Dje gjithë ditën radioja fliste për një shkrimtar që kishte tradhtuar dhe mua m’u kujtove ti”.
Isha krejt i mpirë. Atë tmerr që më shumë se gjithçka tjetër kisha bërë çmos të mos binte në sy, e kisha shpallur si idiot me dorën time. Isha bërë pra, njësh me Pastërnakun, shkrimtarin që kishte tradhtuar. Dhe ishte viti 1976, i dyti vit që isha në të njëjtën listë si ai. Dhe shpalljen e kishte bërë jo ndonjë borgjez provokator, por e dashura ime moskovite, njëra nga ato që shquheshin për përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla “tradhtarthi im i vogël”, le të të shajnë populli rus bashkë me popullin shqiptar, ti më ke mua…
O kuje, mendova. I thashë vetes prapë idiot, kurse asaj pusho, moj biljad, dhe për herë të parë në këtë isha gati të shfryja me atë fjalë kundër artit.
S’ishte nevoja të shfletoja më tutje që pabesia e librit t’ia bënte mu. Gjithë zymtia e Moskës, me spiunët dhe rrathët e ferrit, dhe epidemia e kolerës, që përshkruhej me hollësi në faqet e fundit, i kalonte vetvetiu Tiranës.
Ç’më bëre, i thashë njëherësh vetes, vajzës së letrës dhe artit tim. Ndërkaq, nga faqet e librit vinte në sfidë, një “dil të të dal”, e tij, shpërfillëse dhe kryeneçe. Ndalomë po ta mban! E ke vetë në dorë.
Një copë herë vështrimi im ngeli si i zënë në grackë, diku në hapësirë. E kisha në dorë vërtet ta ndaloja atë mrekulli ogurzezë. Mjaftonte t’i thosha redaktorit se do ta shihja edhe një herë, për ndonjë përmirësim. Madje me shpenzimet e mia…
Do ndalosh romanin, por ah nuk ta mban. M’u desh vetëm një grimë kohe për ta kuptuar se nuk e bëja dot. Kurrë, thashë me vete. Kurrën e kurrës.
Vetëtimthi më kalonin ndër mend faqet e fundit, ato të epilogut, ku, si të mos mjaftonte shkretimi i epidemisë, unë vetë, personazh i vdekur tashmë, kaloja mespërmes Moskës, i hipur mbi kalë, bashkë me vajzën e letrës, atë që sapo e kisha quajtur bljad, domethënë prostitutë, e që, në të vërtetë, ishte e njëjta. Ishte pikërisht ajo për të cilën isha ngritur nga varri, ngaqë ia kisha dhënë besën, sipas një balade të moçme, që kishte vite që po më kaplonte prapë. Risjellja nëpër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. Dehja e rënies më ishte rikthyer më e fortë se kurrë. Dhe bashkë me të, ishin kthyer fjalët e dykuptimshme, për burrin e mbaruar, pra të përsosur e njëherësh të vdekur, siç e kishte quajtur një grua burrin e vet, pak përpara vrasjes, dy mijë e pesëqind vjet më parë në teatrin e Akropolit.
Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur, pa qenë i mbaruar.
…………
Darka speciale/ Si i pajtoi ish-ambasadori në një darkë Nanon dhe Moisiun në Selanik
Ambasadori Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, në librin e tij “Miqësi e trazuar” sjell një episod interesant në marrëdhëniet Presidencë- Kryeministri në vitin 2003. Në kohën kur në Greqi do të mbahej Samiti i Selanikut, qershor 2003, Shqipëria do të përfaqësohej si nga Presidenti Moisiu ashtu dhe nga Kryeministri Nano.
Por marrëdhëniet mes tyre në atë periudhë ishin të ftohta, gjë që do të binte në sy dhe gjatë Samitit të BE-së me vendet aspirante për anëtarësim. Bashkim Zeneli, i cili në atë kohë ishte ambasador i Shqipërisë në Athinë, pasi i priti të dy në aeroportin e Selanikut, i akomodoi në hotelin ku do mbahej Samiti.
Më pas, për të rregulluar këtë klimë jo të mirë mes dy drejtuesve të shtetit shqiptar, ai organizoi një darkë miqësore, jo protokollare. Në atë darkë, Nano dhe Moisiu harruan se përse ishin qejfmbetur me njëri-tjetrin, por mes verës së mirë, batutave dhe shakave dhe shoqërisë së mirë, kaluan ngërçin mes tyre dhe u paraqitën bashkë gjatë ditëve të Samitit.
SAMITI I SELANIKUT I BASHKIMIT EUROPIAN
Presidenca greke e Bashkimit Europian ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme dhe ne si ambasadë do ta ndiqnim me shumë vëmendje. Ajo ishte Presidenca e perspektivës europiane të Rajonit dhe, me Samitin e Selanikut, unë e them me shumë përgjegjësi, që mësimet dhe detyrat e saj janë shumë aktuale dhe të rëndësishme edhe për sot.
Puna e gjithanshme që u bë gjatë atij 6-mujori, konferencat e shumta e me tematika të qarta, materialet e shpërndara, takimet e shumta në nivele të larta në Athinë, vizitat, sidomos në Ballkanin Perëndimor, të personaliteteve më të larta greke, përfshi edhe Kosovën, ishin vërtet një model i përmbushjes së detyrave të një presidence të radhës. Por më shumë se aq, e them pa asnjë hezitim, ishin model i koncepteve të qarta dhe vullnetit politik për ta bërë Ballkanin pjesë të familjes europiane.
Qeveria shqiptare u informua shumë qartë për gjithçka, për çdo detaj, për çdo qëndrim, për çdo propozim, për çdo rezervë, prioritet apo theks në një çështje apo në një tjetër. Shumë çështje, projekte e qëndrime na ishin dhënë me kohë, për të shfaqur mendime, për të bërë propozime. Nga afër, në Ministrinë tonë të Jashtme, do të merrej zv.ministri z. Luan Hajdaraga, me një përvojë të njohur e të spikatur në çështjet politike, diplomatike dhe të sigurisë.
Samiti i Selanikut do të organizohej nga 19 deri më 21 qershor 2003, në Porto Carras Sithonia, në Chalkidiki, në një zonë të mrekullueshme turistike, të njohur në të gjithë Europën. Hotelet luksoze, në një kompleks të madh, si Meliton, Neos Marmaras, Sithonia, Village Inn etj. kanë një emër të madh, sidomos për bujarinë dhe mikpritjen e banorëve të asaj zone. Nuk mund të rri pa thënë se ne, si ambasadë, kemi hasur në ditët e fundit, para fillimit të Samitit, vështirësi të panumërta nga pala jonë, me listat, me oraret e mbërritjes, me mjetet e mbërritjes etj.. Me të gjitha këto do të duhej të “përballeshim” me MPJ e të Rendit të Greqisë, por që përherë do të na mirëkuptonin. Dërgonim një notë verbale me lista emrash, përfshirë edhe gazetarë, në mëngjes dhe pasdite dërgonim një tjetër notë, me ndryshime. Kjo deri ditën e fundit.
Siç e thashë, në Tiranë itej për marrëdhëniet e ftohta midis Presidentit Moisiu dhe Kryeministrit Nano dhe kjo fare lehtë mund të “deshifrohej” edhe në përgatitjen dhe përfaqësimin për në Selanik. (Vetëm Shqipëria do të përfaqësohej nga Presidenti dhe Kryeministri, asnjë vend tjetër nuk i kishte të dy). Dukej se çdo “palë” punonte në këtë drejtim si për “vete” e jo si “palë shqiptare”. Dhe këto, pavarësisht se reektonin jo për mirë raportet midis Presidentit dhe Kryeministrit, krijonin edhe shqetësime për palën greke e për ne si ambasadë në organizimin e punëve, që nga mbërritja, akomodimi, bexhot, takimet dypalëshe, drekat e darkat zyrtare etj. Nuk do të kalonte pa rënë në sy, qoftë edhe si praktikë thjesht protokollare, mospjesëmarrja e ministrit të Jashtëm, z. Meta, në Samit. Unë i njihja “përplasjet” midis Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe nuk do të kalonte veçse pak kohë që zoti Meta të jepte dorëheqjen. Nuk mungonin edhe thashethemnajat nga Tirana, të përkrahësve të njërit apo tjetrit, politikanët, “kompetentët” që përcillnin mesazhe “të sigurta” se çfarë kishte ndodhur e se çfarë do të ndodhte, kur do të ndodhte e pse do të ndodhte e si do të ndodhte. Këto njiheshin! Unë i njihja me emër e me mbiemër edhe në Tiranë, por edhe në ato që përcillnin në Athinë, ashtu, me “siguri” të plotë, të padiskutueshme për ato që dinin, edhe për Nanon edhe për Metën, edhe për grupimet e mbështetësit e njërit e tjetrit.
Dy ditë para nisjes së Samitit, do të njoftohesha se nga pala jonë do të vinin mbi 50 vetë, me zyrtarë të Presidentit dhe të Kryeministrit, me shoqëruesit e pafund, por edhe me gazetarët e pafund të shtypit dhe televizioneve. Na u përmbysën të gjitha planet dhe veprimet që kishim përfunduar me protokollin e shtetit. Ishim para fakteve të kryera
Bisedova me ministrin e Mbrojtjes, z. Joanis Papantoniu, dhe i kërkova për të na vënë në dispozicion një helikopter të madh nga aeroporti “Macedonia” i Selanikut deri në Porto Carras, ku do të zhvillohej Samiti. Dhe ai më mirëkuptoi pa paraqitur asnjë rezervë. Më në detaje do të bisedoja me të ngarkuarin nga MPJ për delegacionin tonë, z. Katakalides Vassilios, shumë korrekt dhe shumë mirëkuptues në të gjitha kërkesat tona.
Për gati një orë, në sallonin e pritjes VIP të aeroportit të Selanikut do të shihej qartë ftohtësia midis Presidentit dhe Kryeministrit. Me zor bisedonin me njëri-tjetrin dhe si me përtesë apo bezdi i kthenin përgjigjet. Dukej se Presidenti Moisiu shfaqej më “i gatshëm” të “toleronte”, “të harronte”, të paktën këtu në Greqi, në Selanik, në Porto Carras, për në Samitin e BE-së, “përplasjet’ që kushedi pse do të kishin pasur. Kryeministri Nano vetëm pinte cigare dhe, i qetë, shpotiste me ndonjë batutë, herë me adresë e herë pa adresë.
Në helikopter për në Porto Carras kishte përsëri heshtje, por tani kjo justifikohej nga zhurma e madhe e nga kufjet në vesh…Pas akomodimit në hotel, i propozova, duke folur për këtë situatë ftohtësie, Kryeministrit Nano që të shkonim së bashku me Presidentin Moisiu në darkë me një rreth të ngushtë, në një lokal jashtë qendrës së Samitit. Në fillim z. Nano hezitoi, por pasi këmbëngula, pranoi. Dhe teksa po pinim kafe në hollin e hotelit dhe kur kishte nisur të binte mbrëmja, nga ashensori doli Presidenti Moisiu, i veshur me një robdishambër të bardhë e me pantoa të bardha, me një ecje të shpejtë, të drejtë. Po shkonte për t’u larë në det…
– Tani është shumë mirë të lahesh në det, ambasador. Nuk do të qëndroj shumë…Kjo më bën shumë mirë, më lehtëson, më heq lodhjen.
– Do të dalim së bashku për darkë, z. President, nuk do të hamë në hotel, – i thashë, – do të vijë edhe z. Nano.
– Dakord jam, po ke biseduar me Kryeministrin?
– Patjetër, Kryeministri është dakord.
– Atëherë nuk do të vonoj shumë.
Shkuam në një lokal buzë detit dhe Presidenti e Kryeministri u ulën pranë njëri-tjetrit, me zonjën Mirela, vajzën e z. Moisiu dhe me zonjën Nano. Unë isha me Engjëllushen. Ishim rreth 10 vetë në tavolinë. Z. Nano e theu akullin duke iu drejtua z. Moisiu sa për të nisur bisedën, se si ishte uji. “Shumë i mirë, u freskova…Ishte ujë shumë i pastër…” Porositëm darkën dhe biseda nisi me tema të ndryshme me copëza, për peshkun, për verën, plazhet, hotelet luksoze të asaj zone, për muzikën greke, për këngët e vallet e ngjashme dhe.. për Samitin e BE-së.
Zoti Nano sikur nuk kishte pasur asnjë ftohtësi me presidentin, nisi të tregojë anekdota, të asë me batuta, të bëjë humor, të ngacmojë Mirelën, vajzën e presidentit. Të gjithë do të qeshnim. Do të qeshte me të madhe edhe presidenti Moisiu dhe, më shumë se zoti Nano, të linte përshtypjen se kështu, me të qeshura e me batuta, shkonin gjithmonë. U duk qartë se të paktën në ditët e Samitit do të ishin të dy shumë të mirëkuptuar e miqësorë. (Që në aeroportin e Selanikut, gazetarët përpiqeshin të kapnin ndonjë gjë që ishte sjellë nga Tirana). Zoti Nano, siç e kishte përherë zakon, provoi verën që kishim porositur. Kamerieri i rrinte pranë me shishe në dorë, duke e vështruar nëse do të kënaqej apo jo. Z. Nano e mori gotën e verës, e kapi ashtu si duhet, në fund të bazamentit, e tundi disa herë, i mori erë, e kaloi një gllënjkë, e mbajti pak në gojë duke e rrotulluar, pa kamerierin në sy dhe tundi kokën për t’i thënë: është e mirë! Edhe Presidenti e shijonte mjaft mirë…
“O sa mirë bëre ambasador që na solle këtu…po kënaqemi. Kjo verë qenka e mrekullueshme…Si e ka emrin? Nga kjo zonë është? E mirë z. Kryeministër, apo jo?”, do të pyeste vërtet me humor Presidenti Moisiu. Ndenjëm deri vonë dhe vetëm duke qeshur në tavolinë. Nisa të besoj se nga ato që shiteshin apo komentoheshin edhe në shtypin tonë, asgjë nuk ishte e vërtetë. Ose të paktën, dhe kjo ishte shumë mirë, të krijohej përshtypja se edhe Presidenti, edhe Kryeministri, mezi prisnin “pajtimin”. “Bëre shumë mirë, herr Botschafer”, do të më thoshte disa herë para se të ngriheshim, “bëre shumë mirë që nuk ndenjëm për darkë aty ku na kishin planifikuar…apo jo, z. President? Jo për gjë, po t’i mbushim mendjen nesër të gjithë ekipit shqiptar se me Presidentin vërtet nuk kemi asnjë, asnjë mosmarrëveshje”.
Nuk u nisa për t’i “pajtuar” se, në fund të fundit, nuk e dija se edhe nga vinte ajo ftohtësi e përfolur. Z. Nano, sapo mbërritëm në hotel nga aeroporti, kur e pyeta më tha shkurt: “Po hiç ore, asgjë nuk ka…ku di unë se ku i ka mbet atij!!!” Veçmas, z. Moisiu do të më thoshte përsëri: “U bë shumë mirë që u ulëm bashkë në atë darkë…Po ç’të them unë o z. ambasador, kështu e ka Fatosi, ti e njeh më mirë”.
***
Samiti i Selanikut u ndal gjerësisht edhe në çështjen e implementimit të plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKBsë për Kosovën dhe në mbështetjen e politikës së UNMIK-ut “Standarde para statusit”. (Natyrisht, për BE-në kjo ishte gjuha që përdorej për Kosovën 14-15 vjet më parë, gjuhë që do të evoluonte me teza e koncepte të reja, deri në pranimin dhe njohjen e Pavarësisë në vitin 2008, pra 5 vjet më vonë.) Vetë pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në këtë Samit do të përbënte një pikë kthese apo edhe një shtysë shumë të rëndësishme në qëndrimin e mëtejshëm të BE-së, por edhe të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, ndaj Kosovës. Ishte e qartë se hapat do të ishin graduale dhe drejt statusit të ardhshëm – Pavarësisë. Ishte shumë e qartë se kthim mbrapa nuk mund të kishte.
Në Samit, në takime të veçanta me kryeministra apo presidentë të vendeve pjesëmarrëse, Kryeministri Fatos Nano por edhe Presidenti Moisiu janë ndalur shumë në çështjen e Kosovës. Dhe kontributi i tyre, edhe në Samit ishte i veçantë dhe shumë i qartë. Kryeministri Nano, ndërmjet të tjerëve, për çështjen e Kosovës, është ndalur shumë me kryetarin e Komisionit Europian, Romano Prodi, me Kancelarin gjerman Shröder, me Kryeministrin italian Berluskoni, me Kryeministrin e Greqisë Simitis, me Komisionerin Patten e me të gjithë homologët e tjerë me të cilët bisedoi. Kancelari gjerman Shröder, në takimin me kryeministrin Nano, në këtë pikë do të linte të kuptohej shumë qartë së pavarësia ishte e ardhmja e Kosovës… “Të gjitha rrugët atje na çojnë” do të shprehej Shröder, “por le të punojmë për të arritur çdo gjë hap pas hapi. Kështu punuam me SHBA dhe aleatët tanë perëndimorë dhe për çlirimin e Kosovës me angazhimin historik të NATO-s…”
Kancelari Shröder do të kërkonte në mënyrë të veçantë nga faktori politik në Kosovë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit serb si dhe kthimin pa probleme të atyre që ishin shpërngulur, kryesisht të minoritetit serb. Edhe gjatë punimeve të Samitit, por edhe në takimet e udhëheqësve shqiptarë me partnerët europianë vlerësohej fakti se, pranimi i 10 vendeve anëtarë të rinj të BE-së vitin e ardhshëm duhej të ishte një inkurajim i madh për vendet e Rajonit, edhe drejt përafrimit të legjislacionit të BE-së. Dhe prandaj do të duhej të merrte shumë rëndësi bashkëpunimi midis vendeve të Rajonit, në fushën politike dhe ekonomike, në radhë të parë. Dhe ky bashkëpunim dhe kooperim nuk do të mund të arrihej si duhet pa bërë hapa të qëndrueshëm drejt pajtimit (që edhe sot po theksohet me forcë, e veçanërisht me shumë forcë nga Kancelarja Merkel që nga procesi i Berlinit e në vazhdim). Edhe takimet e veçanta të Presidentit Moisiu dhe të Kryeministrit Nano me Presidentin e Greqisë, Stefanopolous dhe Kryeministrin Simitis ishin vërtet shumë miqësore, por mbi të gjitha, bisedimet midis tyre i përshkoi një frymë e vërtetë europiane. Dhe Shqipëria e Greqia e kishin zgjedhur rrugën e tyre: ajo ishte rruga e miqësisë midis popujve tanë, rruga e bashkëpunimit në çdo fushë, rruga e së ardhmes. Këto nuk ishin (e nuk janë as sot) thjesht slogane. Janë vizion, janë guxim për të parë përpara, janë kompromis, mirëkuptim, dialog, marrëveshje…
Do të bënte një “përshtypje” të madhe te përfaqësuesit e shtypit tonë dalja e përbashkët e Presidentit me Kryeministrin. Dukej se për marrëdhënien mes tyre nuk kishin çfarë të raportonin, si deri disa ditë më parë. Nuk kishte asnjë “shteg” për hamendësime apo për atmosferë të “ftohtë” midis tyre. Të paktën këtu në Greqi, në Samitin e BE-së…
Samiti i Selanikut, edhe sot pas 15 vitesh, mbetet shumë i rëndësishëm dhe pse jo edhe si një pikë serioze referimi për shumë e shumë probleme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, teza, qëndrime, ide dhe konkluzione të Presidencës greke të BE-së dhe të Samitit të Selanikut janë edhe për sot një axhendë e qartë rrugëtimi, por edhe përgjegjësie për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe në mendimin tim, Samiti i Selanikut do të ishte në vetvete edhe një kontribut i dukshëm për vetë Bashkimin Europian dhe strukturat e tij. Greqia e afroi më shumë Brukselin me vendet tona ballkanike, u bë si një urë lidhëse më funksionale. Pse jo shumë e shumë çështje, të shtruara 15 vjet më parë, ishin në një farë mënyre edhe një “mësim” për Brukselin, për më shumë vëmendje ndaj Rajonit, për të mos e lënë atë të “hallakatet” mes përplasjeve. Dhe sot, në vitin 2018, kur shohim të gjithë se Europa ka probleme, si kurrë më parë, që nga Paslufa e Dytë Botërore, Samiti i Selanikut ka qenë, natyrshëm, edhe një paralajmërim për më shumë përgjegjësi, për më shumë Europë, për më shumë marrëdhënie të qëndrueshme transatlantike. Europa është e ardhmja jonë. “Përse na duhet Europa”, do të shkruajë Kancelari legjendar gjerman, Helmut Kohl, në librin e tij të fundit, para ndarjes nga jeta “Me shqetësimin për Europën – një apel”. Pyetja është legjitime dhe njëkohësisht e lehtë për t’u përgjigjur: “Neve na duhet Europa sepse Europa është një çështje e luftës dhe paqes… Europa është më shumë se një kontinent. Europa është e ardhmja jonë, është fati ynë… Për Europën nuk duhet të humbasim asnjëherë drejtimin…”
Dhe do të vazhdojë Helmut Kohl: “Me një falë: Europa mbështet një projektpaqe, për të cilin të gjithë duhet të punojmë çdo ditë dhe tek i cili duhet të arrijmë. Kush u et njerëzve për të kundërtën, luan me të ardhmen tonë dhe rrezikon paqen dhe lirinë”. Ndaj Samiti i Selanikut, edhe pas 15 vitesh, është apel, apel për Europën, për të ardhmen, për përgjegjësitë politike, për vendosmërinë për të shkuar përpara, për kursin e reformave, për standardet. Europa fillon te shtëpia jote…(Dhe sa larg, sa i vakët e i dobët ishte Samiti i verës në Bullgari, në krahasim me atë të Selanikut në Greqi, 15 vjet më parë). Dhe ky nuk ishte thjesht një fakt! Jo, kjo et për përgjegjësi të BE-së.