Situata e sportit në Shqipëri është shumë e ndërlikuar, mjaft sportistë të disiplinave të ndryshme kanë probleme financiare, me kushtet e stërvitjes, promovimin. Rasti i Klevis Çelajt, i cili foli në media për probleme ekonomike shumëkujt prej nesh i lind pyetja a kanë një mbështetje nga shteti, apo pushteti lokal?
Në fakt, ekziston një ligj në Shqipëri, ai për Sportin i miratuar në vitin 2017, po përveç përmbajtjes së tij, problem është dhe sa është zbatuar. Duke parë marrëdhëniet mes institucioneve të shtetit dhe atyre të sportit në këtë ligj lind pyetja: a ka ardhur koha të privatizohet sporti, për të pasur më shumë sponsorizime, mbështetje e për rrjedhojë kushte më të mira për sportistët?
Shembull për këtë është futbolli, ku futbollistët paguhen nga presidentët biznesmenë të klubeve me kontrata të majme, dhe janë këta presidentë që investojnë në infrastrukturë, kushte të mira stërvitjeje dhe më shumë hapësira për sponsorizime. Një gjë e tillë nuk ndodh në sportet e tjera, për shkak se aktualisht në Shqipëri klubet sportive veprojnë ende si klube shumësportëshe, ku klube si Tirana, Vllaznia, Apollonia, etj., përfshijnë disiplina të ndryshme bashkë, si vlojeboll, mundje, basketboll, atletikë, duke mos krijuar hapësirat e duhura për mbështetjen e duhur financiare për çdo disiplinë.
Përsa i përket disiplinës së boksit, Albi Sorra, boksier profesionist thotë për tirananews.al se zgjidhja është privatizimi i klubeve dhe krijimin e një ligji për sponsorizimet.
“Kur flasim për mbështetjen e boksierëve nga shteti është një diskutim i gjatë dhe ka shumë interpretime. Në Shqipëri nuk ka mungesë ligjesh, por mungesë zbatimi të ligjeve. Unë personalisht e shoh indirekt rolin e shtetit në mbështetje të sportit. Detyra e institucioneve shtetërore që përgjigjen për zhvillimin e sportit nuk është të pasurojë sportistët me shpërblime apo rroga mujore të majme. Nuk është që t’i dhurojë shtëpi apo makinë. Këto ide të kthejnë shumë mbrapa në kohë në një regjim tjetër. Shteti ka për qëllim masivizimin e sportit për t’i shërbyer shoqërisë në aspektin social, kulturor dhe shëndetesor dhe krijimin e infrastrukturës së duhur për të rritur imazhin e kombit nëpërmjet arritjeve të larta sportive në eventet më të rëndësishme ndërkombëtare. Çdo qytetar paguan taksa, një pjesë e të cilave shfrytëzohen pikërisht për sportin, artin dhe kulturën.
Çfare ndodh momentalisht në Shqiperi !? Sipas ligjit, çdo klub është një shoqatë sportive jofitimprurëse OJQ, e pavarur nga shteti por ndërkohë klubet si : Vllaznia, Tirana, Apollonia, Teuta, Flamurtari e shumë të tjera varen drejtpërdrejt nga pushteti lokal, marrin një buxhet të caktuar të cilin e shfrytëzojnë për t’i dhënë dieta sportistëve dhe komandohen nga pushteti lokal.
Nëse ka një zgjidhje për këtë gjë është vetëm privatizimi i klubeve sportive dhe krijimi i një ligji sponsorizimi në mënyrë që sporti të rritet me mbështetjen e bizneseve”, thotë Albi.
Lidhur me rastin e Çelajt boksieri Sorra thotë se nuk është detyrë e shtetit ta shpërblejë. “Duke e lidhur me rastin e Klevis Çelaj mendoj se Klevisi duhet të ndjehet me fat që ka marrë 14.000 lekë shpërblim. Si rregull boksi amator (Olimpik) nuk paguhet. Bie ndesh kundrejt të gjitha parimeve dhe vlerave olimpike. Nuk është detyrë e shtetit ta shpërblej. Shteti krijon infrastrukturën e duhur që këta boksierë ta promovojnë, që boksin ta promovojnë, që të afrohen sponsorët dhe kjo arrihet vetem me privatizimin e klubeve. Kur një investitori do t’i duhet të ndërtojë një palestër me kushtet më të mira se të tjerët për të fituar më shumë, i duhet të marrë trajnerët më të përgatitur për të fituar më shumë, i duhet të shpenzojë shumë në marketing që Pallati i Sportit të mbushet plot e të shiten sa më shumë bileta, i duhet t’i paguaj sa më mirë sportistët që mos të largohen në një klub tjetër. Shteti sipas ligjit shpërblen vetëm ato sportistë që arrijnë medalje në eventet më të mëdhaja botërore, ashtu siç bën çdo shtet në botë. Nëse një boksier e bën boksin për të fituar sa më shumë atëherë duhet të kaloj në boksin profesionist. Vetë termi “profesionist” nuk lidhet me nivelin e boksierit por me faktin që ky boksier paguhet dhe e konsideron si profesion. Për këtë është krijuar edhe Unioni i Boksit Shqiptar, UBSH. UBSH është Federata e Boksit profesionist në territorin e Shqipërisë ku pjesë më e madhe e boksierëve po anëtarësohen dhe po i jepet mundësia çdo boksieri të boksoj në çdo cep të botës dhe të paguhet për këtë punë”, ka thënë Albi.
Në ligji nr. 79/ 2017 “Për Sportin”, në nenin 7 pika 1 thuhet se Sporti në Shqipëri është një veprimtari publike.