Rudina Hadari regjistron të martën në gjykatë partinë e re të saj “Bindja Demokratike”, por sa mbështetje do të ketë ajo nga grupi parlamentar që drejton në Parlament.
Pas regjistrimit në Gjykatë i hapet rrugë edhe regjistrimit të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pengesa më e madhe për Rudinën duket se do të jenë 6 anëtarët e grupit të saj parlamentar.
Lexo edhe- ‘Bindja Demokratike’ e Hajdarit regjistrohet të martën/ Ja çfarë duhet për të themeluar një parti
Gazeta “Panorama” ka kontaktuar me ta, të cilët mohojnë të jenë bërë pjesë e subjektit politik që pritet të zyrtarizohet dhe ligjërisht.
Deputeti Myslim Murrizi, i cili ishte edhe një nga iniciuesit e krijimit të Grupit të ri Parlamentar në Kuvend kujton se nuk është nga ata politikanë, që ‘e tërheqin prej hunde’. Sipas tij, nëse Rudina Hajdari do të largohet nga grupi, pjesë e tij do të jenë përfaqësues të rinj që do të hyjnë në Parlament.
“Grupi Parlamentar Demokrat do të vazhdojë ekzistencën e tij, pavarësisht vendimeve që do të marrë zonja Hajdari. Nëse ikën Rudina, janë anëtarët e tjerë aty. Unë nuk besoj se Rudina do të largohet nga ky grup. Unë e kam bërë të qartë. Mua nuk më tërheq njeri për hunde. Unë i zgjedh vetë partitë ku shkoj sepse kam me vete njerëzit në zonën time që më mbështesin. Kam pasur gjithmonë ftesa të vazhdueshme për të qenë pjesë e forcave politike, por i kam qëndruar besnik bindjeve të mia”, sqaron Murrizi. Edhe deputeti i PD-së në Kukës, Alban Zeneli, konfirmon se Grupi Parlamentar Demokrat nuk ka autorizuar askënd për krijimin e një force të re politike.
“Grupi Demokrat nuk është pjesë e kësaj partie. As nuk kemi autorizuar njeri për krijimin e një force të re politike, apo të bisedoj me njeri tjetër jashtë nesh. Grupi është formuar mbi bazën e aksioneve politike të gjithsecilit, na kanë bashkuar ato parime dhe objektiva që kemi për të arritur në Parlament”, thekson Zeneli. Deputeti Arben Elezi deklaron se aktualisht e mbështet Rudina Hajdarin si kryetare grupi, ndërkohë që lë të hapur çdo mundësi që do t’i jepet në muajt në vazhdim. “Aktualisht, unë jam pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat, pastaj duke i parë gjërat me qetësi, do të marr vendimin e duhur. Unë e mbështes zonjën Hajdari si kryetare të Grupit Parlamentar, për të tjerat duhet t’ia lëmë kohës”, deklaron Elezi.
Deputeti demokrat i Kamzës, Korab Lita, është më radikal në qëndrimin e tij. Duke kujtuar motivet për të cilat u krijua Grupi Parlamentar Demokrat, Lita thekson se, nëse deputetja Hajdari do të krijojë parti të re, ajo do të duhet të largohet nga grupi i sapokrijuar.
“Në demokraci çdokush është i lirë të krijojë një forcë të re politike. Unë jam në Parlament me votën e demokratëve të Kamzës. Për këtë arsye, unë nuk kam asnjë të drejtë dhe asnjë lloj morali që t’i marrë votat e demokratëve të Kamzës dhe t’i çoj në një parti tjetër. Ato vota janë të PD-së dhe unë do të ndjek linjën e forcës sime politike në Parlament, pavarësisht divergjencave dhe kundërshtive që mund të krijohen brenda partisë. Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar me deputetë të PD-së, nëse Rudina apo kushdo tjetër krijon një parti tjetër, duhet të shkojë në partinë tjetër, ndërkohë ne do të vazhdojmë të funksionojmë mes nesh”, shprehet Lita. Edhe deputeti i Dibrës, Halil Jakimi, kërkon që Hajdari dhe të gjithë kolegët e Grupit Demokrat në Parlament t’i qëndrojnë besnik qëllimeve për të cilat u grupuan, që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Unë jam pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat dhe pjesë e grupit të Rudinës për të bërë betejën për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Unë nuk e kam çuar ndër mend angazhimin në një forcë të re politike. Bashkë jemi bërë pjesë e grupit, pasi ndanim të njëjtat qëllime për sistemin zgjedhor. Rudina nga unë nuk ka marrë asnjë opinion në lidhje me këtë forcë të re politike. Qëllimi ynë është të vazhdojmë betejën për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe jo për krijimin e një force të re politike”, thekson Jakimi.
GRUPI PARLAMENTAR DEMOKRAT (PD)
Rudina Hajdari
Myslim Murrizi
Alban Zeneli
Arben Elezi
Arlind Çaçani
Halil Jakini
S’JANË FUTUR NË GRUP
Ligoraq Karamelo
Majlinda Halilaj
Lefter Maliqi
Adriatik Alimadhi
HYJNË NGA LISTAT E PD KËTË TË ENJTE
Andi Përmeti
Erion Piciri
Fatjona Dhimitri
Zef Shtjefni
Nikol Staka
Artur Roshi