Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka komentuar çështjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Duke folur në “Opinion”, Bushati tha se në asnjë rrethanë Shqipëria nuk I ka bërë të gjitha reformat, ndërsa thekson se ndikim ka pasur edhe klima e brendshme politike në vend. “ Në fushën e sundimit të ligjit janë ndërmarrë reforma të rëndësishme, por që kanë prodhuar efekte anësore. Vitin e fundit kemi përjetuar disa situata të paprecedente, djegia e mandateve mos pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit. Mungesa e aftësisë sonë për të gjetur kompromis”, tha Bushati.
Ish ministri tha se klima politike ka një rëndësi shumë të madhe edhe sa i përket ecurisë së reformave në vend. “Edhe sa i përket, zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar. Nuk janë përgjegjësi e opozitës, por kanë rëndësi edhe sa i përket përçimit të imazhit.”
“Unë e kam ngritur disa herë edhe në kuvend që ne nuk duhet të reshtim për asnjë moment sa i përket krijimit të urave të kompromisit me opozitën dhe duhet të krijojmë paktin kombëtar për Europën. Shqipëria ka 10 vite që ka aplikuar për anëtarësim dhe ky proces i ka prekur të gjithë. Ne kemi humbur mundësinë e një gjenerate dhe nuk na falet që të humbim mundësinë e një gjenerate tjetër.”