Bordi i transparencës së produkteve hidrokarbure u ngrit për të mbajtur nën kontroll marzhet e fitimit të kompanive të cilat tregtojnë këto produkte, me shumicë ose pakicë, dhe që ka nisur punën që më 16 mars të këtij viti. Por, së fundmi, disa vendime të bordit kanë ngritur pikëpyetje, sa i përket çmimit tavan të naftës të fiksuar.
Por, së fundmi, disa vendime të bordit kanë ngritur pikëpyetje, sa i përket çmimit tavan të naftës të fiksuar. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar me hollësi çmimet e përcaktuara nga ky bord, metodologjinë e përllogaritjes së tyre, marzhet e fitimit dhe korrelacionin me ecurinë e çmimeve të naftës Brent të Londrës në tregjet ndërkombëtare.
Më datë 29 prill të muajit të kaluar, bordi vendosi një çmim prej 243 lekësh për litër për tregtimin e naftës për konsumatorin final në vendin tonë. Ky çmim, sipas aktit normativ të datës 25 mars bazohet mbi çmimin referencë të PLATTS të një dite më parë, pra më 28 prill. Ky çmim referencë në këtë datë fiksohej në 1173.5 dollarë për ton, sipas çmimit të përcaktuar nga akti normativ i dytë, ai fob, dhe jo cif. Ndërkohë, sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, premio për naftën më datë 28 prill fiksohej në 30 dollarë për ton. Nga ana tjetër, dollari amerikan në këtë datë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këmbehej me lekun me 115. Një tjetër faktor që përcakton çmimin e naftës, si produkt i importuar, pa përfshirë asnjë taksë, është edhe densiteti i tij, që më datë 28 prill, sipas burimeve nga kompanitë që operojnë në tregun tonë fiksohej në 0.8355. Të 4-tët këta elementë, sipas metodës së përllogaritjes së çmimit që përdorin vetë kompanitë, tregojnë se më 28 prill, një ditë përpara mbledhjes së bordit, çmimi me të cilin kompanitë me shumicë e kanë blerë produktin e naftës fiksohej në 115.64 lekë për litër. Por, kësaj shifre duhet t`i shtojmë edhe taksat. Këto të fundit, po më datë 28 prill, fiksoheshin në 105.31 lekë për litër, në total. Vlera totale e taksave përmban si vijon: 23.12 lekë TVSH, rreth 38 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, rreth 10 lekë taksë rilincensimi, 0.74 lekë taksë markimi, 1.4 lekë ajo e skanimit, dhe 2 lekë ajo e pompave.
Pra, duke i shtuar çmimit të produktit të blerë, prej 115.64 lekësh për litër, vlerën e taksave, rezulton se çmimi final fiksohet në 220.95 lekë për litër. Të nesërmen, bordi vendosi çmimin me pakicë për naftën prej 243 lekësh, pra rreth 22 lekë mbi çmimin e tij në treg, që për rrjedhojë përkthehet në marzhin e fitimit të përbashkët mes shumicës dhe pakicës. Ky marzh fitimi fiksohet kështu në rreth 10%. Ndërkohë, akti normativ parashikon një marzh fitimi të përbashkët prej jo më shumë se 15 lekësh për litër. Një marzh fitimi prej 22 lekësh për litër është gjithashtu më i lartë se periudha para krizës së çmimeve të hidrokarbureve. Më parë, marzhet e fitimit luhateshin mesatarisht në shifra më të ulta se 20 lekë për litër.
Nga ana tjetër, “Scan Intelligence Unit” ka analizuar edhe korrelacionin e ecurisë së çmimeve në vendin tonë dhe atyre në bursë dhe nga kjo analizë del në pah një mungesë korrelacioni mes tyre. Kështu, gjatë periudhës 15 mars-7 prill, çmimi i naftës Brent të Londrës në tregjet ndërkombëtare është luhatur mes 98-120 dollarëve për fuçi, për një mesatare të mbylljes ditore prej rreth 109 dollarësh për fuçi. Ndërkohë, çmimi me pakicë në vendin tonë, sipas vendimeve të bordit, plot 10 vendime, është luhatur mes 203-245 lekëve për litër, për një mesatare prej 227 lekësh për litër. Mesatarja është e bazuar mbi të gjitha ditët që ka pasur tregti në bursë, dhe me çmimet ditë pas dite në vendin tonë gjatë kësaj periudhe kohore. Nga ana tjetër, po të shohim periudhën 8 prill-5 maj, vëmë re se çmimi mesatar i mbylljes në bursë ka qenë 107.7 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi mesatar me pakicë në vendin tonë, plot 235 lekë për litër. Gjatë kësaj periudhe kohore, bordi ka marrë vetëm 6 vendime, pra 4 më pak se periudha e parë.
Pra, kemi krahasuar dy periudha kohore, të barabarta në kohëzgjatje, që të dyja në kohën e funksionimit të bordit të transparencës. Gjatë periudhës së parë, atë të fillimit të funksionimit të bordit të transparencës, çmimet me pakicë të naftës në vendin tonë, mesatarisht kanë qenë 7 lekë më të ulta se në periudhën e dytë, atë nga 8 prilli e në vijim, paçka se në bursën ndërkombëtare çmimet kanë qenë mesatarisht më të larta asokohe.
Ky paradoks ka disa shpjegime. Së pari, ndryshimi i marzheve të fitimit, me aktin e dytë normativ, i cili është ngjitur në 12 lekë për litër për tregtinë me pakicë të naftës dhe 3 lekë për litër mbi tregtinë me shumicë, pra 15 lekë fitim, ndërkohë që në aktin e parë normativ marzhi i fitimit ishte progresiv, në 1% për tregtimin me shumicë dhe 5% për tregtimin me pakicë, pra më i ulët. Nga ana tjetër, edhe kursi i këmbimit, forcimi i dollarit amerikan kundrejt lekut vendas ka dhënë një impakt domethënës, prej mbi 5 lekësh për litër mes dy periudhave kohore të krahasuara.Por, ndërkohë që këta dy elementë kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës me pakicë në vend të përcaktuar nga bordi, një tjetër element ka dhënë impaktin e kundërt; metodologjia. Në aktin e parë normativ, për bordin e transparencën të produkteve hidrokarbure, metodologjia e vendosjes së çmimit bazohej mbi çmimin cif të referencës së PLATTS, ndërsa me aktin e dytë normativ, përdored çmimi fob i referencës së PLATTS. Ky i fundit ka një çmim më të lartë dhe një impakt në çmimin final në vendin tone, pasi përfshin edhe sigurimin e produktit gjatë transportit deri në Shqipëri dhe mbi të gjitha, kompanitë e naftës që operojnë në vend aplikojnë pikërisht atë fob. Nga ana tjetër, akti i dytë normativ nuk e përcakton vlerën e premios që i shtohet çmimit, pra transportit të produktit deri në Shqipëri, ndërkohë që akti i parë e përcaktonte në 20 dollarë për ton. Gjithsesi, siç e theksuam edhe më herët, sipas Buletinit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, vlera e premios, më 28 prill të këtij viti, fiksohej në 30 dollarë për ton.