Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Ai tha se deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, që përgenjështroi Kurtin tregojnë për situatën e rëndë.
“Kur të thotë që nuk është e vërtetë ajo që ka thënë tjetri ju e dini çfarë nënkupton kjo, e me ardh diskutimi deri në atë nivel sa me i thënë njëri-tjetrit nuk është e vërtetë diçka është e rëndë në marrëdhënie”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se në këtë rast është më mirë që populli të marrë fatet e vendit në dorë dhe të vendosë për një Qeveri të re.
“Ju e dini se unë kam dhënë dorëheqje dy herë, në rrethana pak të detyrueshme por kam dhënë dorëheqje. Do të ishte zgjidhje dorëheqja e kryetarit të qeverisë në situatën që është tash”, shtoi kreu i AAK.
Haradinaj këto deklarata i bëri të premten, pasi koalicioni AAK-Nisma, nënshkruan marrëveshjen politike me Listën Konservative, e cila do t’i bashkohet listës zgjedhore përzgjedhjet parlamentare.