Kryeministri japonez, Shinzo Abe tejkaloi sot rekordin e jetëgjatësisë në krye të qeverisë së vendit, por shumë nga ambiciet e tij, përfshirë një reformë kushtetuese, duken të vështira për t’u arritur.
Sot, ai shënon ditën e 2 887 në këtë post, një më shumë se rekordi i arritur nga Taro Katsura, tre herë kryeministër nga viti 1901 deri më 1913.
Abe u rendit i dyti në grupin e vendeve të G7-s, pas kancelares gjermane, Angela Merkel, në këtë post që prej vitit 2005.
Gjithashtu drejtues i formacionit të tij politik, Partia Liberal Demokrate (PLD, konservator), pushteti i tij mbetet i konsoliduar dhe pritet ta mbajë të paktën deri në shtator të vitit 2021.
Ai ka përmendur kohët e fundit projektin e tij për rishikimin e Kushtetutës pacifiste vendosur nga pushtuesi amerikan pas kapitullimit të Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore. Një rishikim, qëllimi i të cilit është të ndryshojë statusin e Forcave Vetë-Mbrojtëse të Japonisë për t’u dhënë atyre më shumë atribute.
Por, partitë e opozitës kanë refuzuar deri tani për të miratuar masat e nevojshme për fillimin e këtij procesi.
Reputacioni i Abe, 65 vjeç, është ulur gjithashtu nga dorëheqja e fundit e dy prej ministrave të tij dhe një skandali favorizimi.
Pavarësisht këtyre zhgënjimeve, ekspertët besojnë se koalicioni i tij nuk është në rrezik të madh në Parlament dhe theksojnë mungesën e një rivali evident për të kërkuar pozicionin e tij.