Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e ngacmimit seksual në Drenas, ku një 16-vjeçare u përdhunua nga një mësues dhe një polic.
Kryesia e Kuvendit vendosi kështu pas kërkesës së Vetëvendosjes, LDK dhe Alternativa. Siç raporton Insajderi, deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, ka thënë se në seancë kanë kërkuar që të jetë kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Arsimit.
“Siç e dini gjatë këtyre ditëve kemi qenë dëshmitarë të një tragjedie që ka ndodhur në Drenas dhe kjo ngjarje do të duhej që të na thirrte në përgjegjësi se kjo është përgjegjësi institucionale. Ne kërkojmë përgjegjësi institucionale për këtë rast. Prandaj kemi kërkuar seancë. Seanca do të mbahet sot në ora 12:00 dhe ne kërkuam që në këtë seancë të jenë të pranishëm kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, ai i Shëndetësisë dhe i Arsimit”.
“Është koha e fundit kur ne duhet ta ngrisim zërin fuqishëm”, tha ajo.
