Adele ka hyrë në histori duke u shfaqur në kopertinën e dy edicioneve, si atij amerikan dhe atij britanik të revistës “Vogue”. 33-vjeçarja ka folur për herë të parë për divorcin nga ish-bashkëshorti Simon Konecki, për të birin, transformimin në fizik dhe romancën e re me Rich Paul.
Duke folur për humbjen e saj në peshë për një periudhë dy-vjecare, ajo tregon: “Ndodhi prej ankthit që kisha. Duke u stërvitur nisa të ndjehem më mirë. [Dobësimi] Nuk është asnjëherë vetëm për të humbur peshë, për mua ishte për t’u bërë më e fortë dhe për t’i dhënë vetes kohë pa përdorur celularin. Tani stërvitem dy-tre herë në ditë”.
Në intervistën e saj të parë pas disa vjetësh, ajo është ndalur edhe te divorci i saj nga 47 vjeçari, duke thënë se ishte ajo që e kishte lënë, dhe se do të ndjehej e mjerë nëse nuk do t’i kishte dhënë përparësi vetes së saj. Ajo tregon: “Kur unë isha 30 vjeçe e gjithë jeta ime dukej se po shembej, nuk pata asnjë paralajmërim. Nuk ishte e drejtë për mua, martesa nuk ishte më për mua. Nuk doja të përfundoja siç kanë përfunduar shumë të tjerë. Isha e turpëruar, nuk po arrija të bëja gjërat të funksiononin. Ne gratë jemi bërë për të vazhduar të tentojmë, si në filmat që kam parë që kur isha e vogël.”
Në intervistë ajo flet gjithashtu për herë të parë për të dashurin e ri Rich Paul. “Mediat nuk e pëlqejnë kur unë dal me Rich, por ai nuk shqetësohet. Ai është me këmbë në tokë dhe i kujdesshëm. Është i mrekullueshëm, është zbavitës, është inteligjent”.
Duke folur për të birin, Adele tha se albumi i saj i ri ka shumë këngë për të. “Ndjeja se duhet t’i shpjegoja atij disa gjëra, me anë të muzikës, se përse ia “prisha” familjen duke ndjekur lumturinë time. E kam mërzitur ndonjëherë, dhe nuk e di nëse këtë plagë do ta shëroj ndonjëherë”.
Adele ka pranuar se ka pasur probleme për t’i shpjeguar të birin për ndarjen Simon dhe se ka kërkuar ndihmë nga psikologët.