Një vendim i marrë paraditen e kësaj të premteje nga gjyqtari i Administratives Ramiz Lala urdhëron Ministrinë e Financave dhe degën e thesarit të Tiranës të zhbllokojë menjëherë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të shkallë së parë.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi GJKKO depozitoi pranë Gjykatës Administrative padinë ndaj Financave, me objekt kryesor anulimin e veprimeve që ndaluan pagat, shoqëruar me kërkesën për sigurim padie të menjëhershëm deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Të njëjtat kërkesa kanë depozituar, njëra pas tjetrës edhe pjesa më e madhe e gjykatave të vendit. Media siguroi padinë që është paraqitur nga Gjykata e Lartë e vendit, e cila ka të njëjtën përmbajtje si institucionet e tjera. Të gjitha kërkesat janë regjistruar dhe janë në proces gjykimi.
Vetëm një ditë më herët 18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme me akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, ministrin e Financave Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm të këtij institucioni dhe 14 degët e thesarit ku ka institucione drejtësie.
Ndërkohë që gjyqtarët e Republikës u mblodhën po të enjten ku përmes një deklarate i lanë ultimatum qeverisë që të zhbllokojë pagat, ndryshe ata do të reduktonin proceset gjyqësore.
Edhe të premten në disa gjykata të vendit, si në Fier e Vlorë, vijoi për të tretën ditë radhazi bojkotin e punës administrata, e cila edhe pse nuk ka lidhje me konfliktin e pagave vijon të mos i marrë ato për shkak se është në një listpagesë me gjyqtarët e prokurorët.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendi.

