Gjatë prezantimit të tij para KLP-së, prokurori Adnan Xholi theksoi se pika e tij e dobët lidhet me fokusin e tij në mbledhjen e provave para se të kryhen arrestime. Por sipas tij, këtu qëndron dhe çelësi i suksesit të një prokurori.
“Pika e dobët ka të bëjë me interesin dhe përkushtimin në mbledhjen e provave para se të vijoj me arrestimet, pasi fillimisht fokusohem në mbledhjen e provave. Suksesi i prokurorit është në mbledhjen e provave. Unë nuk fus njerëz në burg pa prova; është shkelje ligjore, kushtetuese dhe hyjnore!”, deklaroi Xholi.
I pyetur se si dëshiron të mbahet mend si prokuror dhe çfarë trashëgimie do të linte, Adnan Xholi u përgjigj: “Shpresoj të mbahem mend si prokurori që nuk e ka dëmtuar padrejtësisht askënd dhe nuk ka dhënë dënime pa bazë. Nuk dua një trashëgimi të tillë. Si drejtues, do të doja të isha tipi që i dëgjon të gjithë vartësit, i kupton, merr masa serioze dhe u gjendet pranë në çdo gjë. Jam një njeri i thjeshtë dhe nuk kërkoj salltanete. Nëse do të jem apo jo drejtues, këto virtyte do të mbeten gjithmonë pjesë e punës sime.”
Të gjitha këto deklarata Adnan Xholi i bëri gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në kuadër të procesit për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.
