Adriatik Lapaj zbulon dy nisma që lëvizja e tij politike, “Shqipëria Bëhet”, do të ndërmarrë nëse do të ketë mundësi të drejtojë vendin. “Për zyrtarët e lartë të këtij shteti, që përfshihen në korrupsion, të konsiderohet tradhti kombëtare dhe të dënohet me minimumi 25 vite burg”, tha Lapaj. “Për zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, të cilëve ne u kemi besuar gradat, armët, për të na ruajtur dhe që bashkëpunojnë me krimin, të konsiderohet tradhti kombëtare dhe të dënohen me 25 vite burg”.
Ai shtoi se shqiptarët duhet të kenë më shumë guxim për t’u ndarë nga e kaluara dhe të përqafojnë nismat e reja politike, kur duhen edhe më pak se një vit nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Lapaj tha kutitë e votimit nuk preken, por zgjedhjet caktohen para se njerëzit të shkojnë te kutitë.
Hodhi poshtë çdo krahasim me Edi Ramën e vitit 2013, para se ai të merrte pushtetin qendror. “Është e vërtetë që në atë fazë ai krijoi emocion dhe besueshmëri. Por fakti që dikush ka dështuar dhe ka prerë në besë popullin e vet, nuk do të thotë që populli të vrasë besimin. Rrugëtimi i zotit Rama me tonin nuk ka ngjashmëri. Rama u bë ministër, pastaj kryetar bashkie, pastaj kryeministër. E gjeti partinë gati, me struktura. Kjo që po bëjmë ne është tjetër gjë”, tha Lapaj.
“Unë i kisha rënë shkurt, kisha shkuar te partia e zotit Rama. Nuk besoj se më mungon aftësia e retorikës për t’u ngjitur shpejt aty. Në sistemin shqiptar, po të isha djalë pa moral i këpusja dhe 2-3 lëpirje kryetarit dhe katapultohesha në krye të qeverisë shumë shpejt. Në majë, atje. Dhe vazhdonte populli ikte nga ky vend dhe vazhdonte parodia e përditshme”.