Këtë të martë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pas rreth 6 vitesh hetime, merr të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi për skandalin e lobimit të LSI në SHBA, aferën CEZ-DIA dhe hetimin pasuror ndaj tyre. Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se çështja është e montuar me urdhër të Ramës. Ndërsa sipas tij, u mor i pandehur pas zgjedhjeve vetëm me qëllimin që të tërhiqet vëmendja.
”Hetimet u përfunduan pas zgjedhjeve dhe jemi në këtë moment, pikërisht në momentin që përfunduan zgjedhjet, për të hequr vëmendjen. Pasi të lexojmë materialet, njihemi edhe me aktet, sepse janë fashikuj të tërë, duhen kohë për t’i studiuar. Meta i ka dhënë shpjegimet para se të merrej masa e arrestit. Çështja është e montuar, i drejton autokrati të gjitha veprimet, i ka drejtuar të gjitha veprimet ndaj Metës.
Janë persona të tjerë që mbajnë përgjegjësi për lobimet, emrat do dalin, kjo çështje nuk përfundon këtu, do thirren ato persona që ka ngritur kartonët edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Do jetë procesi i shekullit, kjo gjykatë vendos çfarë kërkon prokuroria.
Nuk ka asnjë hetim. Meta është regjistruar si person hetim më 10 qershor, dhe është arrestuar më 21 tetor, plot 5 muaj më pas. Pse duhet arrestuar Meta, se u lirua Berisha dhe u arrestua Meta. Të dy jashtë nuk mund të rrinin jashtë për zgjedhje”.
