Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka marrë vendimin për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burg.
Në seancën e kaluar, (6 shtator) ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka shfajësoi veten përballë akuzave lidhur me inceneratorin e Fierit. I pranishëm në GJKKO në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ish-ministri tha ndër të tjera se nuk ka pasur fuqi vendimmarrëse në këtë çështje dhe se vetëm ka ekzekutuar.
Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ai tha se kërkon drejtësi, ndërsa akuzoi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si autorët e kallëzimit penal të bërë ndaj tij. “Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova që janë kriter themelor i proçesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit”, u shpreh ish-ministri në gjykatë.
Për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite. Për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkon përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj. Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
Dënimet që kërkon SPAK
Lefter Koka – Ish ministri i Mjedisit – 10 vjet, me gjykim të shkurtuar 6.8 vite burg
Alqi Bllako – Ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit – Kërkohen 7 vite burg. Me gjykim të shkurtuar 4.8 vite burg
Klodian Zoto – Administrator i kompanisë koncensionare – Kërkohen 12 vite burg. Me gjykim të shkurtuar të vuajë 8 vite burg
Pellumb Abeshi Ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit – Kërkohen 4 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Florian Muçaj – Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit – Kërkohen 3 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Azem Shatëri – Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit – Kërkohen 3 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Erjon Murataj – Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit – Kërkohen 4 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Sabina Cenameri – Anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit – Kërkohen 4 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Arben Dervishaj – Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit – Kërkohen 4 vite me gjykim të shkurtuar 2.8 vite burg
Loran Dusha 8 Administrator i Inceneratorit të Fierit (Në kërkim) – Kërkohen 8 vite burg. Është pranuar gjykmi i shkurtuar
Arjola Kodra – Administratore e Inceneratorit të Tiranës (Në kërkim ) – Kërkohen 3 vite burg, është pranuar gjykimi i shkurtuar
Arbër Denizi – Administrator i PIVOT-04 (Në kërkim) – Kërkohen 7 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Juri Imeraj – Administrator i kompanisë J.P.Y (Në kërkim) – Kërkohen 7 vite burg. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Regan Merdani – Administrator i ‘Froggy”sh.p.k, ) – Kërkohen 4 vite burg. Eshtë pranuar gjykimi i shkurtuar
Gentian Zifla – Administrator i ‘Itneg”sh.p.k – Kërkohen 4 vite burg. Eshtë pranuar gjykimi i shkurtuar