Breshëri pyetjesh Ditmir Bushatit!
Të gjithë ne jemi rritur me mite e legjenda mbi heroizmin e popullit tonë në shekuj!
Argjiroja qe hidhet nga bedenat duke këmbyer shtratin e ngrohte të pashait me vdekjen, Mic Sokoli që la arat djerr në malësitë e Gjakovës dhe ja mbylli gojën topit me gjoks, Oso Kuka i cili la sarajet e tupet në Shkodër dhe u kall për së gjalli ne kalanë e Vraninës, Vojua mbi tanks, Vasil Laçi që kërkon një krehër e plot të tjerë sa të mbushet mendja që në faqe të dheut si rodi i shqiptarit s;ka rracë më trime!
Tani shqiptarin se kërcënon më as turku ( përjashto telenovelat, shkollat e memorialët) as greku, as shkjau, nemcja jo e jo, italiani po fare dhe ngjan qe ky popull trim që të merr gjak në vetull, sikur është pak i frikësuar!
Ajo që ndodh në partitë politike shqiptare ta çon nëpër mënd një të tillë shtjellë. Duke shfletuar ndonjë manual apo doktrinë politike kemi kuptuar ndonjë gjësend mbi natyrën e pushtetit atë të “princit” i cili ka gjithmonë të drejtë! Mbi fatin që ka ndjekur rebelet dhe kryengritësit, mbi “konxhiurat” hapësirat , iluminimet dhe ndryshimet që ato kanë sjellë në jetën shoqërore duke krijuar mendim dhe histori politike! Por pyetja së cilës mund t’i përgjigjej Prof. Fuga më shumë se Bushati ( se atij do i bëjmë të tjera) çfarë e ka squllur , cili shuk apo mballonë, cili urdhër apo interes, cila frikë e epërme apo e ulët, çfarë njolle nga e shkuara e çfarë projekti i së ardhmes ja ka mbyllur gojën, përulur vështrimin, lakuar karakterin shqiptarit epik , heroik e bashkëkohorë! ???
Çfarë e shndërron individin qoftë shtatlartë apo xhuxh në servil , memec, në fytyrëshollë, në kokëshpullë, në hajn , brac , mashtrues dhe predikues i rrugës së vetme, i së drejtës absolute në të njëjtën kohë?
Ne shohim historitë e debatit politik, përplasjet, përjashtimet metamorfosa është tejet trishtuese me evolimin e viteve! Në vitin 1991 në kongresin e PPSH që do shndërrohej në PSSH do mbahet mend fjalimi i Dritëro Agolit i cili u mbështet edhe nga intelektual të tjerë të majtë Po ashtu debate të forta ka pasur në kuvendin e parë të PDSH apo në gushtin e vitit 1992 kur përjashtoheshin mocionistët! Një situatë e fortë debati u krijua në PD në periudhën 97-99 nga ku pati ikje, ngrirje, përjashtime e nga ku u krijuan edhe dy parti të reja të cilat u shkrinë me kalimin e viteve! Pika më e lartë e debatit u shënua në kohen e Fatos Nanos me “katarsin” e famshëm kur Kryeministër ishte Ilir Meta!
Me gjasë kjo ishte shfaqja e fundit demokratike në një parti politike shqiptare! Pas këtyre eksperiencave lideri u bë gjithnjë e më i pagabueshëm! Pasurimi nëpërmjet politikes gjithnjë e më i konsoliduar! “Pedofilia” politike u bë një praktike e njohur në emër të risive dhe lojës me imazhin! Kjo ndodhi në mënyre trasversale në të gjitha partitë kryesore, vit pas viti!
Performanca intelektuale dhe publike nga shtyse u shndërrua në pengesë në vijimësinë e karrierës politike! Proceset dhe forumet u zëvendësuan me të “rinj” mirënjohës dhe, “besnike” të sprovuar të cilët i kanë të certifikuar siguritë që nuk e cenojnë kurrë vullnetin dhe karrigen e udhëheqësit! Kur ndonjë , krejt pak, prej të “rinjëve ” bëhen të “vjetër” dhe fillojnë e shqiptojnë fjalët pse, si, kur, e mirë e keqe, e gabuar, e dëmshme, u vjen sosja, kërcenimi, mënjanimi e më vonë përjashtimi!
Në vitin 2013 Ditmir Bushati gjithsesi i majtë dhe socialist nuk do jetë shqetësuar shume kur profesorët e PS hidheshin si antikuare, normale do i jetë dukur dialektika e brezave e kushedi për Edi Ramën të nxirrte sytë nga balli! Po kaq të natyrshme do e ketë gjykuar aksionin e Edi Ramës për të marrë vendime siç ja lyp mideja! Bushati për 6 vjet qe ministër i jashtëm i një vendi që mundohet të luaj një rol në Ballkan e që përtej tij nuk kanë peshë reale! Përtej akuzave të opozitës që jo pak herë bëhen për rit nuk bëri gabime as dëme!
Me gjuhë sibiline përmes cinizmit dhe inteligjencës i bëri të njohura qëndrimet e tij për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës ! Këtu filloi rënia e tij të cilën e përjetoi dy herë si padrejtësi! E para që hiqej me disa tejet të përfolur e rrethuar me skandale si Ahmetaj e Gjiknuri e së dyti qe zëvendësohej nga një ferishte që rrezohej brenda fjalëve të veta sa herë fliste!
Bushati e kapërdiu brenda vetes me gjasë ketë zemëratë, shenja e së cilës u dallua kur refuzoi të ngjitej në benzin e Edi Ramës!
Për disa muaj u shfaq herë si prift me fjalime në parlament, si plak i urtë me statuse ne FB apo si socialist progresist pas çdo emërimi të ri të Kryeministrit!
Si belcinjet qe ziejnë në fuçi derisa piqen e del rakia, duroi derisa personat me precedent penal i zunë vendin si drejtues politik në Shkodër! Jo vetëm kaq por u rikthyen furishëm e krenar në sagën e 30 qershorit! Në mbledhjen e fundit të kryesisë thuhet që debati është mes Ramës dhe Bushatit ka qenë i ndezur! Kjo u kuptua nda deklarata qe vetë Bushati dha për mediat! Qëndrimi i mediave pranë kryeministrit ishte i menjëhershëm dhe agresiv! I njihnin si faj pse kishte bërë fushatë për kandidatin që Edi Rama kishte caktuar në Shkodër duke respektuar kameratizmin partiak në fushatë!
Tani le të kthehemi tek problemi sociologjik dhe etik që lind nga kjo ngjarje në formë pyetjesh për Zotin Bushati!
Publiku ka kërshëri të kuptojë!
1) Çfarë qëndrimi mbajtën për katapultimin në politikë të elementeve më të shkuar penale socialistet e vjetër Ruçi, Majko, Xhafaj, Braçe?
2) Sa prej anëtareve të kryesisë provuam turp e shqetësim për sa ka ndodhur?
3) Cilët të mbështetën dhe të telefonuan më pas për të të inkurajuar në qëndrim?
4) Sa prej tyre të priten për të bërë rrugën bashkë kur mbaroi mbledhja?, Elisa apo Etilda?
5) Cila prej ministrusheve qau për mërzinë që i shkaktove të madhit?
6) Cila të mallkoi si Ed Palokën kur hidhte bojë?
7) Kush çorri faqet me tepër nga marazi ?
8) A pat ndonjë tentative që në shenjë besnikërie të të gjuanin me shishe uji siç gjuajte ti mbi opozitën në parlament?
9) Në parlament të flasin apo bëjnë sikur nuk të njohin?
10) Opozita e re të ka qortuar ndërkohë?
Përgjigjet e shpejta do të ishin një ndihmë e madhe jo thjeshtë për kuriozitetin publik që ngjan me barkun e një balene por mbi të gjitha çfarë ju ka ndodhur nipave të Skanderbegut që nuk i mposhte as dushmani as stina e moti ndërsa sot një njeri i vetëm i bën terbiet si bariu grigjen në shtrungë?