Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj u tha sot banorëve të fshatrave të Prellit, Darsit, Rukajve, Rremullit, etj, se pas gjashtë viteve kalvari gjyqesh janë rikthyer kufijtë Administrativë-Territorialë të kësaj bashkie.
“Jam shumë i lumtur se e drejta triumfoi dhe rikthyem 2222 hektarë të territorit të Matit, pasi padrejtësisht u ishin kaluar rretheve fqinje, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Bulqizë e Dibër. Çuditërisht ata që drejtuan bashkinë para gjashtë viteve heshtën. Tani gjithçka është rikthyer siç matjanët e meritojnë”, theksoi Malaj.
Sot, më datë 14.04.2025, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr.99 (86-2023-1256), datë 23.11.2023 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, në të cilin ishte vendosur, shfuqizimi i pjesshëm i VKM-së Nr.360 miratuar nga Këshilli i Ministrave me datë 29.05.2019 “Për miratimin e Hartës së Përditësuar të Kufijve Administrativë-Territorialë të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore”, vetëm për pjesën që prek Bashkinë Mat.
Me këtë vendimmarje të drejtë dhe në përputhje me ligjin gjykata përfundimisht konstatoi cënimin e kufirit administrative-territorial të Bashkisë Mat, duke i rikthyer një sipërfaqe të territorit prej 2221.959 ha, e cila i’u ishte hequr në mënyrë të paligjshme me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 360, datë 29.05.2019 “Për miratimin e hartës së përditësuar të kufijve administrative-territorialë të njësive të vetëqeverisjes vendore”.