TiranaNewsTiranaNews
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Sporti
  • Teknologji
Të fundit

Moti për këtë të mërkurë, mos harroni çadrën

08:20 / June 7, 2023

12 shenjat e horoskopit, e mërkurë 7 qershor 2023

08:17 / June 7, 2023

9 këshilla për t’i bërë për vete njerëzit

23:59 / June 6, 2023

Paralajmërimi i gazetares: Shumë shpejt arrestime të bujshme në radhët e PS dhe opozitës

23:45 / June 6, 2023

Dhunë dhe torturë ndaj qytetarëve, arrestohen pesë oficerë policie

23:38 / June 6, 2023
Facebook Twitter Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Twitter Instagram
TiranaNewsTiranaNews
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Sporti
  • Teknologji
Abonohu
TiranaNewsTiranaNews
OPED

Agron Tufa/ Tendenca “politike” e zgjedhjeve në Komunitetin Mysliman

19:48 / March 12, 20198 Mins Read
Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

Zgjedhja e kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kaloi përgjithësisht e qetë, që fill mandej u shoqërua me një replikë. Mediat, në prag të zgjedhjeve, përcollën një shqetësim të ish Kryeministrit të Shqipërisë, z. Berisha, që paralajmëronte se njëri prej kandidatëve ishte  i përkrahuri i qeverisë. Ndërkaq, fill pas përfundimit të votimit, një nga kandidatët humbës, pikërisht ai, për të cilin qe thënë se në garë është i “përkrahuri” i qeverisë, akuzoi KMSH-në dhe organizatorët pak minuta pas shpalljes së rezultatit, për mekanizma “okultë”, që gjoja kanë tjetërsuar procesin për të kontrolluar kështu jetën e komunitetit të besimtarëve myslimanë. Sigurisht, nëse kontestatori do të kishte fituar zgjedhjet, nuk besoj se do ta kishim as deklaratën e tij në media. Megjithatë, nëse pati diçka “okulte” në këtë histori, ajo ishte vetë tipi i reagimit të “humbësit”, që la një shije zhgënjimi për klimën laiciste të shoqërisë sonë.

Dhe laicizmi, siç dihet, është klima e kontinentit tonë. Ne nuk jemi ndryshe nga pjesa tjetër e kontinentit në këtë aspekt. Duke iu drejtuar përmes shtypit mentalitetit laicist me deklaratë për “mekanizma okultë”, në fakt je duke i bërë “apel” atij të ndërhyjë e t’i gjykojë zgjedhjet e komuniteteve fetare me të njëjtin mastar, siç i gjykon ai zgjedhjet politike. Edhe Kushtetuta jonë e vitit 1998 deklaron se, “shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton liritë e shprehjes së tyre në jetën publike (neni 10.2). Fill pas votimit, kandidati i përfolur si “i qeverisë” e uroi madje fituesin me duarshtrëngim, siç del nga fotot. Pak minuta më vonë kemi “deklaratën” e tij. Mos vallë pas urimit dhe duarshtrëngimit të sinqertë, kandidatit “të qeverisë” i ka ardhur ndonjë mesazh “nga lart” i tipit: “Dil e bëj deklaratë”? Ndryshe nuk përligjet dot kontradikta e thellë e dy gjesteve të ndryshme, brenda pak minutash. Sepse në këto raste, njëra e përjashton tjetrën. E nëse është kështu (dhe s’kemi arsye të mendojmë ndryshe për logjikën e thjeshtë të provës), atëherë na hapet një precedent i rrezikshëm, ai i ndërhyrjes së shtetit (pushteteve politike) në jetën e pavarur të komuniteteve fetare në Shqipëri, duke u cenuar kësisoj garancia që u jep këtyre komuniteteve Kushtetuta jonë, me ligjin e sipërcituar. Kjo njëmend do të përbënte një rrezik për minimin e harmonisë proverbiale fetare ndër shqiptarë, bashkëjetesës fetare, si vlerë origjinale e traditës sonë në Ballkan, çka do të çonte pashmangshëm në një reaksion zinxhir – çarjen e pariparueshme të identitetit tonë kombëtar. Nuk ka dyshim se përkatësia trifetare e ka bërë më të pasur e më të larmishëm identitetin tonë kombëtar, por njëkohësisht edhe më fraxhil e të lëndueshëm nëse në mes do të ndërhynte politika për përfitimet e saj afatshkurtra. Në mënyrë më të përmbledhur mund të shprehemi kështu: vetëdija jonë fetare është ajo e një populli të krishtero-mysliman, ndërsa vetëdija jonë kombëtare është shqiptaria. Së këndejmi, “fetë janë shumë, atdheu është një”.

Të vërtetën e këtij pohimi e kanë ndjekur elitat tona kombëtare dhe fetare qysh në origjinën e zgjimit kombëtar të Rilindjes, luftën për shkollën shqipe, për pavarësi dhe modernizim të shoqërisë. Një meritë të veçantë në këtë drejtim e kanë pasë dhe elitat fetare myslimane. Nga radhët e hoxhallarëve tanë kanë dalë jo pak patriotë për fatet e kombit, midis të cilëve mjafton të përmendim myderriz Ymer efendi Prizrenin, kryetar i Lidhjes së Prizrenit, dhe Haxhi Vehbi Dibrën, i cili më 1912 u zgjodh kryetar i Pleqërisë, organ konsultativ në ndihmë të Qeverisë së Vlorës, me të drejtë të zëvendësonte Kryeministrin Ismail Qemali kur mungonte. Ndoshta këtë ka pasë parasysh Faik Bej Konica, kur thoshte se: “Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptarë…”.

FORCA E TRADITËS NË VETËDIJEN FETARE E KOMBËTARE

Nisur nga rasti i fundit i zgjedhjes së lidershipit fetar në KMSH dhe atë çfarë përcollën mediat, është rasti që shtypi t’i trajtojë me delikatesën e duhur deklaratat, nisur nga konteksti kur ato lëshohen, duke i mbetur besnik së vërtetës. Sepse gjithmonë është më mirë një e vërtetë e hidhur, sesa një e vërtetë e rrejshme. Konteksti i deklaratave për mekanizma “okultë” duhet parë në kontekstin psikologjik (mosgëlltitja apo mospajtimi me të qenët humbës në një garë) dhe kontekstin koniuktural (akuzat për “gylenizëm” apo “erdoganizëm”, sikundërse të qenët “kolonë e pestë” e qeverisë). Keqardhje që situata e sotme nuk u ngrit dot në nivelin e zgjedhjeve të para të Kongresit të parë të myslimanëve shqiptarë, 96 vite më parë, më 12 mars 1923, kur për kreun e KMSH-së kandidonin dy personalitetet më të rëndësishme të kohës: Haxhi Vehbi Dibra dhe Hafiz Ali Korça. Dhe të mendosh se diferencën midis tyre e ndau një votë! Asnjë akuzë nuk pati në adresë të fituesit, por pati në vazhdimësi përkushtim të përvujtë për rolin emancipues të fesë në jetën sociale dhe edukimin patriotik e kombëtar. Dëshmi e kësaj janë mijëra faqe shkrime të tyre në shtypin e kohës, “Zani i naltë” dhe “Drita islame”, pa marrë parasysh përkthimet, ligjëratat e mësimdhëniet e tyre e tyre nëpër medresetë dhe tekstet e shumta shkollore. Pra, një traditë e shkëlqyer që rrezaton dritë, durim e etikë nga krerët e këtij komuniteti ndër vite: Haxhi Vehbi Dibra, Dr. Behxhet Shpati, Hafiz Sherif Langu, Haxhi Musa Basha, sikundërse në po atë traditë, ripërtëritja e besimit nga rrënojat e plojës komuniste me Hafiz Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën, deri tek ish-kryetari Skënder Bruçaj. Mirëkuptimi që ata kanë gjetur me komunitetet e tjera fetare është vlera e padiskutueshme për strukturën trikonfesionale të feve në botën shqiptare. Nuk mund të abstragosh nga kjo traditë, të hapësh precedentë të rrezikshëm me akuza në tym, aq më keq nëse frymëzimi për këtë buron prej axhendash politike.

Pikërisht në ruajtjen e traditës së shkëlqyer të paraardhësve vuri theksin kreu i sapozgjedhur i KMSH-së, Bujar Spahiu: “Unë siguroj shtetin shqiptar, ndërmjet jush, se do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë dhe një qytetar i mirë. KMSH-ja nën lidershipin tim do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore, ruajtja dhe forcimi i harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri”. Sepse bashkekzistenca par exellence trikonfesionale ndër shqiptarët, e verifikuar ndër shekuj, me një ekumenizëm dhe dialog shembullor, është shtyllë e qytetërimit shqiptar.

GJUHA SHQIPE SI NISHANI VENDIMTAR I IDENTITETIT TONË SHQIPTAR

Këndvështrimi nga e shoh unë rrezikshmërinë e akuzave të mjegullta pas zgjedhjes së kreut të KMSH-së, është qartësisht laicist. Nuk dua (dhe as nuk mund) të hyj në debate teologjike të dogmës së fesë. Ndaj, nga këto pozita e shoh të rrezikshme çdo lloj ndërhyrje (të importuar nga jashtë apo nga koniukturat e brendshme politike) në jetën e komuniteteve fetare në përgjithësi dhe ndaj Komunitetit Mysliman në veçanti, si komuniteti më i madh fetar te ne. Pasojat që shqetësojnë gjithkënd pasqyrohen në rrezikun e shpërbërjes së formulës “alkimike”, me të cilën është ngjizur identiteti ynë kombëtar. Si pedagog dhe i një lënde me titull “Identitetet dhe komunikimi masiv”, ku shqyrtohen dhe identitetet fetare shqiptare, ua kam ngulitur mirë studentëve, se baza e identitetit shqiptar është sigurisht dhe kryesisht, gjuha shqipe.

Gjuha është gjëja e vetme, krahas historisë së përbashkët, e cila i bashkon të gjithë shqiptarët. Gjuha shqipe dhe kultura e saj janë “nishani” vendimtar i identitetit tonë. Megjithëkëtë, unë përsëri mendoj që shqiptarët më të zgjuar janë ata, të cilët e zgjerojnë konceptin e përfshirjes për sa i përket identitetit shqiptar. Dhe në akord me filozofin Charles Sender Peirce (1839-1914), vërtet “identiteti i një njeriu shprehet me koherencën e asaj që bën dhe të asaj që ai mendon”.

Si një komb, Shqipëria është një “shembull i diversitetit në bashkim”. Shqipëria strehon njerëz të traditave fetare të ndryshme, por gjithashtu komunitete dhe minoritete etnike, të cilat konsiderohen “shqiptare”. Nëse i hedhim një vështrim rolit të fesë ndër shqiptarët, do të shohim se feja ka luajtur rol pozitiv gjatë historisë. Për këtë, meritë të veçantë kanë prijësit e fesë, të cilët ishin në nivel të misionit të tyre dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare. Nuk mund të mohohet roli i kulturës kristiane në krijimin dhe ruajtjen e individualitetit shqiptar të kulturës dhe gjuhës, siç nuk mund të mohohet roli i kulturës islame në ruajtjen e qenies kolektive shqiptare. Nuk ka asnjë gjë të tillë si një projekt të bazuar nga ekskluziviteti i një feje kur ne flasim për identitetin shqiptar. Përndryshe, kjo mund të fshijë gjithë atë pjesë të mirë të kombit shqiptar vetëm mbi bazat fetare. Kjo, veçanërisht gjatë kohërave kur diskursi mbi përplasjet permanente dhe luftërat midis kulturave dhe feve ka arritur gati një kulm agresiv. Kjo pra, duhet të shikohet si një pasuri që rasti i kombësisë shqiptare qëndron një rast shembullor i bashkëjetesës së njerëzve me edukime të ndryshme fetare, bashkëndarjen dhe përdorimin e gjuhës së njëjtë, vendit të njëjtë dhe referenca të njëjta kulturore dhe historike.

Le të mbajmë parasysh, se ndër shqiptarët, deri më tash, bartëset e vetme të jetës fetare janë bashkësitë fetare, qofshin ato islame apo të krishtera. Depërtimi i politikës në gjirin e këtyre komuniteteve apo importimi i koniukturave të huaja, të shteteve të fuqishme do të sillte shpërbërjen e shpejtë e të pandreqshme të të gjithë asaj godine historike vlerash, ku gjendet sekreti i bashkëjetesës dhe unitetit tonë kombëtar./ Panorama

Komuniteti Mysliman laicitet tradita fetare Zgjedhjet
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Postime te ngjashme

Muri elektoral i Ramës, 800 metra i lartë

20:50 / June 6, 2023

Fija e fundit e kashtës së Berishës!

11:27 / June 6, 2023

Një parti që vuan krizën e mungesës së betejës

21:20 / June 5, 2023

Një vend gjykohet edhe nga reklamat që sheh në TV! Rasti i Shqipërisë

17:45 / June 5, 2023
Add A Comment

Leave A Reply Cancel Reply

LABRISA - Boutique Hotel
Tirana News Tirana News
GLOBAL SECURITY
Raporto Tani
Kryesoret

Moti për këtë të mërkurë, mos harroni çadrën

08:20 / June 7, 2023

Gjendja shëndetësore e Vangjush Dakos pas arrestimit, avokati i tij: Është i stresuar

22:40 / June 6, 2023

Arrestimi Vangjush Dakos, flet avokati: Nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg

22:17 / June 6, 2023

Ja sa vite burg rrezikon të dënohet ish kryebashkiaku Vangjush Dako

22:05 / June 6, 2023
Raporto Tani
Te fundit

Moti për këtë të mërkurë, mos harroni çadrën

08:20 / June 7, 2023

12 shenjat e horoskopit, e mërkurë 7 qershor 2023

08:17 / June 7, 2023

9 këshilla për t’i bërë për vete njerëzit

23:59 / June 6, 2023
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube

Tirananews.al do të përçojë nga ju dhe për ju Shqipërinë, të djeshmen dhe të sotmen e saj. Lajme të paanshme, analiza të thelluara dhe argëtim i larmishëm

Facebook Twitter Instagram Pinterest YouTube

Abonohu për më të fundit

Merni lajmet e fundit nga TiranaNews

© 2023 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.