Është nxjerrë i pajetë trupi i 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar pas zjarrit që ra në një magazinë tek Casa Italia.
Në një komunikim për mediat, drejtori i zjarrfikësve të Tiranës Shkëlqim Goxhaj ka thënë se në magazinë konfirmohet se nuk ka pasur persona të tjerë.
Goxhaj gjithashtu theksoi se situata ka qenë e vështirë, ndërsa bëri me dije se trupi i 32-vjeçarit është gjetur në mesin e magazinës dhe se ndërhyrja e tij për të fikur zjarrin është bërë me fikse dore.
“Situata ka qenë shumë e vështirë, por asnjë sekondë nuk është ndalur lufta me zjarrin. Edhe qytetarët edhe vetë familjarët e kanë parë se si është bërë ndërhyrja. Disa media kanë thënë se shërbimi i zjarrfikëses nuk ka mjetet e duhura, por ju them se ndërhyrja për të fikur zjarrin nuk ka ndaluar asnjë moment.
Ritheksoj se që në momentin e parë kur shërbimi është njoftuar janë ofruar pesë zjarrfikëse. Po ashtu edhe unë vetë që në kur jam ofruar për ndihmë nuk jam larguar në asnjë moment. Deri tani ka shumë pak pamje që janë shpërndarë nga lufta me zjarrin, por do të sjellim të tjera. Trupi i të ndjerit është gjetur pranë mesit të magazinës, ai ka qenë duke luftuar zjarrin me fikëse dorë”, tha Goxhaj.
Sa i përket shkakut të rënies së zjarrit bëri me dije se së shpejti pritet që të nxjerrin rezultatet përfundimtare.
“Sot do të nxjerrim konkluzionet dhe do të dalim në një përfundim se për çfarë arsye ka rënë zjarri në magazinë. Ne kemi këqyrur të gjithë pajisjet e inertet në magazinë dhe jam i sigurt që në objekt nuk ka trup tjetër.
Theksoj për të gjithë dyshuesit, se stacioni i shërbimit të zjarrfikës së Bashkisë së Tiranës është në gjendje të përballojë çdo lloj fatkeqësie të rënies së zjarrit”, përfundoi ai.
