Një aksident është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në aksin rrugor Lushnje-Berat, ku një motor ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal.
Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur dy shtetas nga Bangladeshi, të cilët udhëtonin me motor.
Njëri prej tyre, i cili ishte në gjendje më të rënduar, është transportuar në spital, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
