Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur në një aksident të rëndë të ndodhur pasditen e së mërkurës pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, në Tiranë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Shtetit, aksidenti ndodhi rreth orës 16:20, kur një kamion-pompë betoni u përplas me një automjet.
Pas përplasjes, mjeti i tonazhit të rëndë çau barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ra nga mbikalimi në nivelin e poshtëm të aksit TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Njëri nga dy personat që udhëtonin në kamion dyshohet se humbi jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia bëri të ditur se dy personat që ndodheshin në kamion nuk ishin identifikuar ende. Për këtë arsye, nuk ishte përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo pasagjeri.
I plagosur mbeti edhe drejtuesi i automjetit tjetër, një 28-vjeçar me iniciale R. N. Ai u transportua në spital dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetime për shkaqet e aksidentit
Nga të dhënat e raportuara nga vendngjarja dyshohet se kamioni po udhëtonte nga Farka drejt rrethrrotullimit të TEG-ut, ku u përplas me automjetin që ndodhej në rreth.
Në asfalt janë konstatuar shenja frenimi, por shpejtësia e mjetit dhe përgjegjësia për aksidentin nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Grupi hetimor po shqyrton pamjet, gjurmët e frenimit, pozicionin e mjeteve dhe elemente të tjera për të rindërtuar dinamikën dhe për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.
Aksidenti shkaktoi trafik të rënduar dhe radhë të gjata automjetesh në hyrje të Saukut dhe në drejtim të Elbasanit.
Policia vijon punën për identifikimin e personave që ndodheshin në kamion dhe sqarimin e plotë të rrethanave.
