Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Jehon Breçanin, i cili katër ditë më parë aksidentoi një 24-vjeçare në zonën e Kinostudios.
19-vjeçari ishte duke ecur në këtë zonë me shpejtësi tej normave të lejuara e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke aksidentuar 24-vjeçaren Xhenisa Gega, e cila si pasojë e plagëve të marra mbeti edhe invalide pasi humbi njërën këmbë.
Breçani pasi humbi kontrollin e mjetit fillimisht u përpals me një mur e më pas me një pemë që e ka thyer ku aty goditi edhe 24-vjeçaren e cila ndodhej në trotuar. Pas aksidentit 19-vjeçari u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.4, ku pas veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ai iu nënshtua edhe testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike. Dyshohet se kur është aksidentuar ka qenë me shpejtësi të lartë.
