Armë, municion, eksploziv dhe uniforma ushtarake janë prezantuar pasditen e së premtes nga drejtoria rajonale e policisë në veri.
Këto janë konfiskuar pas një operacioni policor në fshatin Rodel të Leposaviqit, ku u gjetën edhe uniforma ushtarake të ish-Jugosllavisë, përfshirë një me mbishkrimin “Mbrojtja Civile”, organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, u tha se operacioni po vazhdon dhe një person është duke u intervistuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se organizatat e shpallura terroriste nga institucionet vendore vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë.
“Janë zbuluar uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion, por edhe dokumente që dëshmojnë se strukturat paralele të mbrojtjes civile janë ende aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim u bë disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Ne vazhdimisht po zhvillojmë aksione për të garantuar rendin dhe sigurinë në çdo pjesë të vendit. Policia e Kosovës dhe institucionet tjera do të veprojnë me efikasitet dhe profesionalizëm për të siguruar ligjin,” tha ai.
Para mediave, Sveçla akuzoi Serbinë se po vazhdon të strehojë terroristë serbë.
“Serbia vazhdon të mbrojë terroristin Millan Radojiqiq, i cili është organizatori kryesor i këtyre grupeve dhe po përpiqet të mbajë aktivë anëtarët e tyre, si në territorin e Serbisë, ashtu edhe brenda Kosovës. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen dhe të dorëzojnë pajisjet ushtarake, në mënyrë që të kthehen në një jetë normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë,” tha ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se operacioni nisi pas marrjes së informatave se në fshatin Rodel, në një shtëpi të pabanuar, kishte armë dhe municion.
“Drejtoria rajonale e Policisë në veri mori informacion se në një shtëpi të pabanuar mund të kishte armë dhe municion. Në orën 12:00, njësitë policore, sipas Kodit të Procedurës Penale, ndërhynë dhe sekuestruan prova materiale, nën dyshimin për veprën penale ‘mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve’. Operacioni është ende në vazhdim dhe aktualisht një person është duke u intervistuar në Stacionin Policor,” tha Hoxha.
Ai shpalosi listën e provave të sekuestruara, të cilat përfshijnë armë, municion, pajisje ushtarake, dokumente dhe substanca të dyshuara si eksploziv.
“Në mesin e objekteve të sekuestruara janë një pushkë njëtytëshe, 19 fishekë për pistoletë, 45 fishekë për armë të gjatë, pajisje ushtarake, dylbi për snajper, gaz maska, dokumente dhe uniforma ushtarake, përfshirë ato të organizatës ‘Mbrojtja Civile’. Kjo tregon se mbetjet e kësaj organizate vazhdojnë të jenë aktive dhe synojnë të minojnë rendin kushtetues. Po punojmë për të gjetur dy armë që dyshohet se mungojnë nga ky arsenal i sekuestruar,” shtoi Hoxha.
Ai njoftoi gjithashtu se janë marrë mostra nga substancat e dyshuara eksplozive për analizim.
Nga ana tjetër, ministri Sveçla tha se Policia e Kosovës është e gatshme për t’u përballur me kërcënimet nga mbetjet e “Mbrojtjes Civile”.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, organizatë e shpallur terroriste me ligj. Kushdo që është pjesë e kësaj organizate është terrorist. Po zbulojmë vazhdimisht armë, uniforma dhe po arrestojmë anëtarë të tyre, gjë që tregon se ende ka mbetje të kësaj strukture në veri të Kosovës. Policia e Kosovës është e aftë të përballet me këto grupe dhe këtë po e dëshmon çdo ditë. Çdo individ apo grupacion që vepron ilegalisht do të përballet me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjykatat, duke marrë dënimin e merituar,” deklaroi ai.
Ai foli edhe për situatën në Serbi dhe ndikimin e saj në Kosovë.
“Vuçiq është një diktator, i cili për të mbajtur pushtetin shtyp popullin e Serbisë dhe rrezikon sigurinë në rajon. Sa më shpejt që Serbia të demokratizohet, aq më mirë do të jetë për gjithë rajonin,” tha ai.
Në fund, Sveçla shtoi se nuk ka indikacione për përgatitje sulmesh nga grupe të caktuara, por shteti është i gatshëm të mbrojë territorin dhe sovranitetin e tij.