Përmes një njoftimi zyrtar, Qendra Kombëtare e Biznesit u ka bërë me dije kompanive se ka hyrë në fuqi Ligji për Pronarët përfitues, dhe se ato duhet te respektojne detyrimin për depozitimin në kohë të të dhënave. “-Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 7/2022, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale si dhe moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme brenda afateve të parashikuara nga ky ligj”, thekson në njoftim Qendra e Biznesit.
Një seri ndryshimesh të Miratuara së fundmi në ligjin për Pronarët Përfitues përcaktojnë gjoba të kripura ndaj atyre bizneseve që nuk depozitojnë në kohë të dhënat me pronarët apo aksionerët e tyre. Ato nisin nga 500 dollarë për rastet e mosrespektimit të afateve, për të shkuar deri në 6 mijë dollarë kur autoritetet konstatojnë se ato bëhen me qëllim për të fshehur të dhëna të rëndësishme mbi burimet financiare të pronarëve apo aksionerëve të tyre. Gjobat do të aplikohen nga Titullari I Qendrës KOmbëtare të Biznesit dhe do mund të ankimohen në gjykatën administrative.
Ligji “Për pronarin përfitues” miratuar më datë 29.7.2020 u pasua nga krijimi regjistrit të pronarëve përfitues, ku do të regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre.
Në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues, përfaqësuesi ligjor i tyre duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues, si dhe datën e regjistrimit të subjektit në regjistrin përkatës; dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit; si dhe dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25 (njëzet e pesë) % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit, të të drejtave të votimit ose të interesave të pronësisë.
Ligji ka ardhur si një rekomandim i Moneyval, strukturës evropiane kundër pastrimit të parave, dhe ka qëllim zbardhjen e pronarëve të vërtetë, apo aksionerëve që qëndrojnë pas kompanive.
Vitin e shkuar Qeveria pranoi shtyrjen e afatit të depozitimit të të dhënave nga disa shoqata biznesi, kryesisht të huaja, të cilat kërkuan më shumë kohë në dispozicion për mbledhjen e dokumentacionit përkatës.
