Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar me intensifikimin e kontrolleve në fushën e tregtimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB). Në datën 22 tetor 2025, Drejtoria Rajonale e AKU Durrës zhvilloi një inspektim në subjektin “Cultiva”, që ushtron aktivitet tregtimi me shumicë të këtyre produkteve.
Gjatë verifikimit, trupa inspektuese konstatoi se afatet e ruajtjes së produkteve nuk përputheshin me ato të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe të përcaktuara në dosjet e regjistrimit të PMB-ve.
Si rezultat, u bllokua një sasi prej 2,999.6 kilogramësh produkte për mbrojtjen e bimëve, ndërsa subjektit iu ngarkua detyrimi për të tërhequr nga tregu dhe kthyer në magazinë 6,270.98 kilogramë të tjerë, në përputhje me kërkesat për gjurmueshmëri.
Në vijim të procedurave, AKU Durrës ka bashkëpunuar me Sektorin e Krimit Ekonomik, ndërsa rasti është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
