Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka bërë një reagim të fortë duke marrë shkas nga miratimi i rezolutës së propozuar nga z. Dick Marty për hetimin e krimeve gjatë luftës së Kosovës. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të vlerësojë mundësinë e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm, i cili ti marrë bashkë të gjitha këto fakte dhe vetëm më pas, pasi të ketë definuar dhe përcaktuar një raport mund të shkojmë dhe tek një rezolutë që padyshim duhet ta denoncojmë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare ne Kosovë”, shprehet Balla. Më tej ai shton se lufta për liri nuk është kurrë krim luftë, lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme.
Postimi i Ballës
Rroftë Lufta Çlirimtare e Popullit të Kosovës
Kuvendi i Shqipërisë e ka detyrim moral të qartësojë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Kemi pasur mazhorancën e vitit 2011 në këtë vend, e cila ka votuar pro një rezolute për investigimet e pretendimeve për trajtim ç’njerzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë. Proces i nisur me mocionin e një rezolute e vitit 2008, paraqitur nga një anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Konstantin Kosachev, përfaqësues i Federatës Ruse, Grupi Europian Demokrat.
Pra procesi që çoi deri në miratimin e rezolutës të propozuar nga z. Dick Marty ka filluar prej vitit 2008 nga një deputet i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, përfaqësues i Federatës Ruse.
Dhe në atë rezolutë të miratuar me datë 25 janar të vitit 2011, janë vënë çështje që lidhen me territorin e Republikës së Shqipërisë: Në Mat, në Has dhe në Kukës. Për sa i përket këtyre çështjeve në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar hetime nga institucionet e drejtësisë shqiptare, tërisht sovrane dhe legjitime, të cilat kanë arritur në përfundimin që në Shqipëri, as tek shtëpia e verdhë, as në Has e as në Kukës nuk ka pasur krime.
Nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe nuk ka pasur krime lufte.
Për të gjitha këto çështje unë nuk do të mbështesja thjesht dhe vetëm rezoluta deklarative.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të vlerësojë mundësinë e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm, i cili ti marrë bashkë të gjitha këto fakte dhe vetëm më pas, pasi të ketë definuar dhe përcaktuar një raport mund të shkojmë dhe tek një rezolutë që padyshim duhet ta denoncojmë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare ne Kosovë.
Kush nuk e di dhe kush nuk e ka ende të qartë në kokë, duhet ta dijë. Lufta për liri nuk është kurrë krim luftë, lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme. Rroftë lufta Çlirimtare e Popullit të Kosovës
#LiriaKaEmër