Miliona banorë në Angli dhe Uells morën të premten një alarm emergjence në telefonat e tyre, pasi autoritetet paralajmëruan për rrezik serioz nga zjarret në nivel kombëtar.
Alarmet u aktivizuan rreth orës 19:00 dhe u shoqëruan me një sinjal sirene, ndërsa qytetarëve iu kërkua të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë flakë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të mos ndezin barbekju, zjarre kampi apo fishekzjarre dhe të tregojnë kujdes ndaj çdo veprimi tjetër që mund të shkaktojë zjarr. Në rast se konstatohet një vatër zjarri, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrin 999.
Zëvendëskryeministrja Louise Haigh e cilësoi këtë si përdorimin më të gjerë deri tani të sistemit britanik të alarmit emergjent për një incident aktiv, duke theksuar se masa tregon seriozitetin e situatës dhe përpjekjet e qeverisë për të mbrojtur njerëzit dhe pronën.
Paralajmërimi vjen pas një serie zjarresh të mëdha që kanë përfshirë disa zona të Anglisë dhe Uellsit. Në Stourbridge, në West Midlands, zjarret kanë shkaktuar dëme në banesa dhe kanë lënë persona të plagosur. Autoritetet kanë paralajmëruar se vendi përballet me një fundjavë veçanërisht të vështirë për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata.
Në kuadër të masave parandaluese, është njoftuar edhe një ndalim i përkohshëm kombëtar për shitjen e barbekjuve njëpërdorimshe. Masa do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa rreziku nga zjarret konsiderohet i lartë.
Situata është veçanërisht shqetësuese në Uells, ku ushtria është angazhuar për të mbështetur shërbimet e emergjencës. Rreth 100 ushtarakë janë vendosur në terren, ndërsa një numër i ngjashëm pritet t’u bashkohet ekipeve për të ndihmuar me furnizimin me ujë dhe mbështetjen logjistike.
Bilanci i zjarreve këtë vit ka kaluar tashmë shifrat e vitit të kaluar. Në Angli dhe Uells janë regjistruar më shumë se 1,017 zjarre, duke tejkaluar totalin e regjistruar gjatë vitit 2025. Vetëm brenda një periudhe 24-orëshe, shërbimet zjarrfikëse raportuan 11 incidente të mëdha.
